"Berisha i vetmi njeri që mund të bashkojë forcat opozitare", Sula: Protesta jo për të, por hallet e popullit

Nga A2 CNN
11 Korrik 2024, 19:53 | Politikë

Sali Berisha i vetmi njeri që mund të ngjisë qytetarët në një emërues të përbashkët për të bashkuar të gjitha forcat opozitare. Kështu u shpreh deputeti demokrat Dash Sula, në studion e Ditarit me Bruna Çifligun, pak minuta para nisjes së protestës kombëtare të thirrur nga opozita.

“Një opozitë do të duhet të ketë punë për çdo minutë, çdo orë. Ne jemi në rrugën e mbarë, të shpresojmë që duhet nj emërues i përbashkët për të bashkuar të gjithë forcat opozitare. Por duhet të gjesh ngjizje me ata qytetarë që nuk janë të djathtë. Dhe njerëzit si Berisha dhe ata që janë afër tij, do të jenë mendje hapur sikur Berisha në 2005 që dha efektet. Shikoj vetëm shkëndija, por është i vetmi njeri. Të paktën deri tani, këto të tjerët bëjnë sikur por ngelin tek ajo gjëja e vogël. Unë i shikoj të gjithë të vlefshëm si një mozaik. Ne kemi nevojë për të gjithë dhe e ke luksin që në opozitë të jesh më mendjehapur? Sali Berisha është shtetar model, por të krijon një komoditet në marrëdhënie pune. Ka një mision të jashtëzakonshëm duhet të ketë qasje tjetër që të bëjë ngjizjen. Nëse bën këtë e ka fituar davanë. Nëse ngel peng i mendimeve stoike; o unë o bie e vdes e shoh me dyshim”.

Sipas tij, kjo protestë nuk duhet lexuar vetëm për aspektin politik, por çdo njeri duhet të kuptojë që brenda saj gjen dhe përfaqësimin e vet. Sula thekson se nuk është vetëm lirimi i liderit të opozitës, apo qeveria teknike objektivi i saj, por problemet e mëdha qeverisëse.

“Nuk është vetëm protestë për demokratët. Problemi i Berishës është dytësor e tretësor përballë halleve të mëdha që ka ky vend sot, pavarësisht se Berisha është në një hetim politik. Por unë e shoh jo në këndvështrim të sakrificës që duhet të bëjë Sali Berisha. Berisha dhe familja e tij duhet të bëjë sakrifica që të mos e fusë opozitën në këtë lloj qerthulli. Se problemet e qeverisë janë shumë më të mëdha. Edhe sot po të isha unë siç janë kolegët e mi, nëse do të haja 24 orë dajak vetëm që të fitonte PD dhe të rrëzonte këtë pushtet, duhet ta pranoja”.

Sa i përket kërkesës për qeveri teknike, Sula solli në vëmendje shembullin e Maqedonisë së Veriut që sipas tij i dha efektet.

“Vendet e Ballkanit dhe rajonit përjashtuar Kosovën të gjithë ne të tjerët nuk bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme, deformojmë votën. Efektet u dhanë në RMV”.

Por për të realizuar këtë, thotë Sula, “do të duhet një vullnet i përbashkët më shumë i qeverisë që deri tani nuk ekziston”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos