Berisha: Kodi i ri penal ka dalë nga shpellat e mafies!

Nga A2 CNN
28 Korrik 2025, 12:51 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi qeverinë për draftin e ri të kodit penal, të prezantuar javën e kaluar, duke thënë se aty “goditen pa mëshirë qytetarët” dhe “trajtohen me butësi maksimale zyrtarët”.

“Nga viti 1992 gjer sot, Shqipëria ka hartuar ligje të bazuara në standardet më të mira dhe të asistuar nga institucionet kompetente evropiane. Në vitin 1995, u miratua kodi i parë penal. Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal”, tha Berisha në një konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.

“Edhe njëherë, kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë. Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë”.

Drafti i një Kodi të ri Penal, nga liria me kusht e të dënuarve përjetë te minorenët 21 vjeç 

Ministria e Drejtësisë prezantoi javën e kaluar projektin e një Kodi tëri Penal, ku propozohet ndër të tjera, mundësia e lirimit me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Dokumenti i ri ligjor u hartua nga grup pune i kryesuar nga kreu i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i njëjti që ndau risitë e draftit. “Ne kemi pasur disa pengesa në ligj që lidhen me aplikimin e lirimit para kohe me kusht për sa lidhet me burgimin e përjetshëm. Njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen, nëse kushtet në të cilat vendosen dhe puna me ta është e efektshme”, tha Rakipi.

Drafti parashikon edhe ndryshim të kufirit moshor të të miturve. “Ta rrisim nivelin e moshës dhe kemi parashikuar, që nëse do të plotësohen disa kushte ë tjera që janë të caktuara në ligj, si i mitur mund të trajtohet edhe një 21-vjeçar”.

Ministri i Drejtësisë i bëri një ftesë publike opozitës parlamentare për kontribut në jetë Kod të ri. “Opozitës së vendit tim, të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit publik. Kodi i ri Penal është  një akt shtetëror dhe i përbashkët i shqiptarëve. Në BE shkon Shqipëria, jo veç një qeveri a një forcë e caktuar politike”, tha Manja.

Ndërsa kreu i Gjykatës së Lartë tha se ai dhe komuniteti i profesionistëve ende nuk ishin njohur me versionin final të projektit, por ndau bindjen se ç’ duhet të përfaqësojë Kodi i ri. 

Risitë e Kodit Penal, burg për profilet false në Facebook dhe për parakalim të gabuar 

Përdorimi i imazhit të një personi për të hapur një profil fals në rrjetet sociale do të konsiderohet si krim në Kodin e ri Penal të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Sipas draftit, që pritet të hidhet në konsultim publik, kur ky profil fals në rrjete sociale i shkakton mbajtësit të imazhit gjendje ngacmimi, përndjekje ose poshtërim, autori dënohet me gjobë ose me burg deri në tre vjet, shkruan A2.

Të tjera dispozita, të lidhura me zbatimin e gjerë të teknologjisë, që nuk janë në Kodin aktual, janë ato të përndjekjes dhe ngacmimeve online. Në draft parashikohen nga 2 deri në 6 vite burg për ata që ndërmarrin në mënyrë të vazhdueshme sjellje kërcënuese ndaj një personi përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të tillë që t’i bëjë ata të kenë frikë për sigurinë e tyre, apo që mbajnë nën mbikqyrje përmes teknologjisë një person, pa pëlqimin e tij.  

Në të njëjtën frymë, në rastet e sulmit në botën online të një personi, duke i shkaktuar dëmtim psikologjik një personi, parashikohet dënim nga gjobë deri në tre vjet burg. Dënim me burg deri në 4 vjet rrezikojnë edhe ata që me pa të drejtë nisin çdo komunikim elektronik, me qëllim për të frikësuar, ngacmuar ose krijuar shqetësim emocional një personi tjetër.

Njëlloj edhe kur shpërndan foto të tij, apo të të afërmve, që e bën personin të neveritshëm apo degradues në opinionin publik.

Në risitë e Kodit të ri Penal është edhe detajimi i gamës së shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke i kategorizuar jo vetëm për pasojën e ardhur. Kështu, parashikohen dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg për shoferët që bëjnë parakalim të gabuar, për ata që kalojnë limitin e shpjejtësisë, apo që futen në rrugë në kundërvajtje, duke vënë në rrezik jetë personash apo rrezikuar seriozisht aksidentet.

Sipas draftit, hetimi penal për secilën nga shkeljet do të fillojë vetëm në rastet kur më herët për autorin e shkeljes është marrë masë administrative për të njëjtën lloj shkeljeje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos