Berisha kryetar i PD, ambasada e SHBA për A2 CNN: Ndaj tij nuk ndryshojmë qëndrim

Nga Ervin Koçi
14 Qershor 2024, 15:11 | Politikë

Dorëzimi i çelësave të Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit nuk përbën arsye që SHBA të ndryshojë qëndrim për Sali Berishën. E pyetur nga A2CNN, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehet se për ta asgjë nuk ka ndryshuar dhe kreu i PD vijon të konsiderohet non-grata. Ndër rreshta, selia diplomatike e Uashingtonit, lë të kuptohet se qëndron në kontakt me të tjerë persona mes demokratëve, të cilët i konsideron të përshtatshëm dhe me integritet moral.

Njohja de jure si kryetar i Partisë Demokratike nuk përbën arsye që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndryshojnë qëndrim sa i takon bashkëpunimit me Sali Berishës. A2 CNN kërkoi një reagim nga ana e ambasadës së SHBA-në në Tiranë, nëse konfirmimi i Sali Berishës si drejtuesi PD-së pas vendimit të Apelit do të ndikojë në qasjen e tyre sa i takon edhe non gratës.

“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: Ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”.

Por Berisha tashmë është një realitet i pashmangshëm politik. Dhe përballë këtij fakti, a do të bashkëpunojë ambasada e SHBA me një subjekt që drejtohet nga një nongrata?

“Ambasada e SHBA: Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”.

Non grata nga SHBA ishte arsyeja që Lulzim Basha largoi Berishën nga Partia Demokratike, vendim që u pasua nga beteja e ish-kryeministrit për të rimarrë drejtimin e PD-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos