Një ditë para protestës së thirrur nga Partia Demokratike, Sali Berisha, mblodhi në seli aleatët, nga ku kërkoi që të gjitha forcat opozitare të mblidhen në një front sa më të gjerë kundër socialistëve në pushtet.
“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara”, u shpreh Berisha.
Thirrja e Berishës për të qenë bashkë, mirëpritet nga aleatët, por ende ka paqartësi mbi mënyrën e bashkëpunimit.
“Kjo është negociatë, nuk është lojë kungulleshkash. Unë nuk kam përmendur numër mandatesh, çdo forcë hynë në zgjedhje për të fituar. Objektivi i PL që nuk ka çeduar asnjëherë, është shembja e narkoregjimit”, deklaroi Tedi Blushi.
“Negociatat e përcaktojnë, numrat janë gjë shumë e rëndomtë, bashkëpunimi ka rëndësi më të madhe”, tha Sali Shehu, kryetari i Frymës së re Demokratike.
“Jemi duke bërë bisedime, por nuk kjo tema e takimit sot”, u shpreh Artur Roshi nga Balli Kombëtar Demokrat.
“Jemi vetëm për protestën...”, deklaroi Nard Ndoka, kryetar i PDK-së.
Më të qartë nga aleatët e Partisë Demokratike janë kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, që ka pohuar se kërkon dy kandidatë në listë të sigurt dhe Vangjel Dule i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i cili ka shprehur dëshirën për të kandiduar në Vlorë. (A2 Televizion)