Problemet me zarfet e votimit në Greqi, Rama akuza opozitës: Klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë vendit

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 10:55 | Politikë

Problemet me zarfet e votimit në Greqi, Rama akuza opozitës: Klithmat

Pas problemeve me zarfet e fletëve të votimit në Greqi, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë të regjistruar për të votuar nga shtetit helen, që të marrin zarfet me fletët e votimit dhe të mos e humbasin këtë mundësi që ai e cilëson historike për të dhënë votën e tyre. Rama pranoi se ka pasur probleme me shpërndarjen e zarfeve, por siguroi se situata është zgjidhur dhe qytetarët mund t’i tërheqin ato nga pikat e shpërndarjes.

“Desha të përcjell një thirrje lutje e mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë. Është një mundësi historike për të qenë votues për herë të parë jashtë Shqipërisë por edhe takim me historinë për të kyçur Shqipërinë në shtëpinë e madhe të BE. Ka pasur një problematikë me shpërndarjen, por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë zarfet janë shpërndarë në destinacion dhe keni të gjitha informacionet për të kuptuar se çfarë do të bëni dhe për të mos përtuar t’i tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes së kompanisë dhe në rast se i keni marrë zarfet në shtëpi të veprimi duke i kthyer ato drejt Shqipërisë me numrin 5”.

Sipas Ramës,  ky është një “takim me historinë” dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në mesazhin e tij, kryesocialisti theksoi edhe rëndësinë e votimit për emigrantët që nuk kanë ende pasaportë shqiptare dhe që presin zgjidhje për çështjen e pensioneve me Greqinë. Ai u shpreh se kjo marrëveshje është e vështirë, por ka vullnet të mirë nga të dy palët, teksa sjell në vëmendje edhe marrëveshjen me Italinë.

“Ky votim është me rëndësi të veçantë për shqiptarët në Greqi që ende nuk kanë pasaportën dhe janë futur në ankthin e padrejtë të njohjes së pensioneve. Negociatat me qeverinë greke kanë nisur por nuk dimë sa kohë duhet të marrë vullneti ynë dhe qeverisë greke është shumë pozitiv, por duke nisur nga eksperienca me Italinë që u desh në vite të tëra dhe pastaj e solli fati të më dilte mua një motër në Romë dhe u përshpejtuan gjërat. Që Nga dakordësia me motrën dhe deri te firma e fundit nuk e di sa kohë kaloi një vit e gjysmë, a dy vjet, mund të merret me mend sa mund të zgjasë marrëveshja me Greqinë. Është marrëveshja më e vështirë, numrat e mëdhenj e bëjnë më të vështirë se ka kosto financiare. Greqia nuk është Italia nga fuqia”.

Kryeministri akuzoi opozitën se po tenton të hedhë baltë mbi procesin, duke ironizuar zërat që pretendojnë për manipulime me zarfe dhe duke i quajtur “klithma të bufit të kënetës”.

“Është gjynah që pasi keni bërë mundimin për t’u regjistruar të mos merrni mundimin për të votuar. E keni parë klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfe në rrugë dhe pretendonte se ishin zarfe të kapur nuk e di sesi e nga kush. Drejtuesi politik për diasporën ka bërë një sqarim që zarfe mund të mbledhësh edhe nga shtëpia jote dhe kur je skllav i bufit dhe shtëpinë tënde e kthen në llogore kënete dhe të thuash që këto i bën regjimi, por këto nuk i ha njeri. Prandaj të fokusohemi dhe të shtyjmë Shqipërinë përpara dhe përshpejtojmë tharjen e asaj kënete që është fatkeqësi kombëtare një plagë antieuropiane në trupin e Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos