Sali Berisha prezantoi sot në Dibër programin ekonomik dhe social, duke premtuar ndryshime të thella brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Ai u zotua se çdo dokument legalizimi do konsiderohet tapi dhe se çdo gjobë e vendosur nga KESH, policia apo IKMT do falet. Gjithashtu, taksat për ndërtimin do ulen 10 herë dhe do hiqet taksa sociale.
Berisha premtoi vendosjen e një minimumi jetik prej 200 euro për çdo qytetar dhe pensionist, si dhe paga minimale prej 500 euro. Ai shtoi se çdo rrogë do rritet 13% brenda 100 ditëve, dhe do aplikohet tatim 10% mbi të ardhurat për çdo pagë mbi minimumin.
Për biznesin e vogël, energjia do ulet në 6 lekë/kWh dhe taksat për hapësirat publike nga 1500 në 120 lekë. Kufiri për TVSH dhe tatim fitimi do shkojë në 180 mijë euro, ndërsa për bizneset e mëdha tatim fitimi do ulet nga 23% në 10%.
Në sektorin bujqësor, Berisha premtoi subvencione të barabarta me ato të Kosovës dhe Maqedonisë, duke hequr kriteret diskriminuese për fermerët e zonave verilindore dhe juglindore.
Në shëndetësi, do vendoset lista italiane e barnave për rimbursim, ndërsa çmimi i naftës dhe energjisë do jetë më i ulët se në Kosovë dhe Maqedoni.
Berisha e cilësoi këtë mision si një përpjekje pa interes personal për pushtet, por si një detyrim për t’i kthyer qytetarëve paratë dhe dinjitetin. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Dibrës që më 11 maj të votojnë për një ndryshim të vërtetë. (A2 Televizion)