Berisha në Durrës: Përmbytjet zbuluan shëmtinë e qeverisë, qytetarët meritojnë më shumë

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 19:21 | Politikë

Berisha në Durrës: Përmbytjet zbuluan shëmtinë e

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur në foltoren e radhës me demokratët në Durrës, kritikoi qeverinë për mënyrën se si ka menaxhuar përmbytjet që prekun qytetin dhe rrethinat e tij.

Ai tha se përmbytjet ishin shkaktuar jo vetëm nga shirat, por edhe nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i fondeve për pastrimin e kanaleve dhe mirëmbajtjen e sistemeve të ujitjes.

Ai akuzoi qeverinë se sillet si “pushtues më i egër” dhe nuk ka shpallur ligjin e emergjencës, i cili do t’u mundësonte fonde qytetarëve të dëmtuar.

Berisha: Vij këtu, së pari, për të shprehur një mirënjohje të pakufishme ndaj jush dhe jam i bindur se kjo mirënjohje është e mbarë shqiptarëve, sepse ju në këtë vend, në këtë territor ngritët me djersën e ballit, më sakrifica të jashtëzakonshme një Durrës të dytë, Durrësin e ri.

Ju, nuk zgjodhët që këto sakrifica, këtë djersë, ta derdhnit në vende tjera dhe e kishit plotësisht të mundshme. Por, zgjodhët një terren, e vërteta është, më i papërshtatshmi po ta marrim në disa aspekte, që quhej Kënetë, dhe e tillë ishte. Por, njerëz guximtarë, njerëz punëtorë, u përveshën punës, sakrificave dhe e shndërruat atë në një nga qytetet e mëdha të Shqipërisë.

Një homazh dhe nderim të veçantë për qytetarët e Durrësit, e kanë një meritë shumë të madhe. Qytet port, dhe askush prurjet nuk i ka pritur më me fisnikëri, më me zemër të hapur se qyteti i Durrësit, dhe kjo u bën nder këtyre qytetarëve.

Por unë kam mirënjohjen time për ju, sepse i keni dhënë një mbështetje të madhe PD, një mbështetje për çka ne u detyrohemi shumë.

Miqtë e mi, Durrësi dy muajt e fundit ka nxjerrë në pah të gjithë shëmtinë, të gjithë fytyrën e shëmtuar të këtij pushteti dhe kësaj qeverie. Ne shqiptarët e kemi një fjalë të vërtetë: miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Durrësi, këto muajt e fundit, qyteti i ri dhe i vjetër, rrethinat, kanë njohur përmbytjet pothuaj apokaliptike, të papara ndonjëherë.

Ka njohur më keq se kaq, injorimin e plotë nga pushteti dhe qeveria. Mashtrimin e plotë nga pushteti dhe qeveria. Cinizmin ekstrem nga pushteti dhe qeveria.

Përmbytjet, natyrisht, të shkaktuara nga shirat, por po kaq, nga korrupsioni, nga vjedhja e fondeve të përcaktuara për pastrimin e kanaleve, për tërheqjen, evakuimin e ujrave nga hidrovorët dhe sistemi  i kanalizimeve.

A ka njeri të ketë pësuar gjënë më të vogël, ta quajmë sabotim është pak, se të përmbysësh 600 familje, t’u fusësh ujin dhe t’i lësh ato me ditë të tëra, është një krim i shëmtuar i shumëlloj. A dha kush llogari për këtë që ndodhi? Askurrëkush!

Kush i vodhi paratë e kanaleve, 42 milionë për pastrimin? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos