Sali Berisha mbylli sot në mbrëmje edhe prezantimin e kandidatëve në Vlorë pasi kishte qenë në Peqin, Gramsh dhe Fier.
Vlora mbetet në fakt një zonë dhe një qytet delikat ndaj edhe ky tubim kishte një lloj rëndësie.
Pikërisht për këtë vlerë Berisha u kujdes të përmendte Ismail Qemalin, të cilit ju betua përballë vlonjatëve se do ta çojë Edi Ramën në Beograd siç aludoi kreu i Partisë Demokratike për shumë gjëra në këtë fjalim.
“Po çfarë thonë vendet e lira për Edi Ramën? Edi Rama është në rreth të kuq. Ai që u përpoq të zhdukë opozitën, ai që u përpoq në shpirtin e Spiro Kolekës dhe Enver Hoxhës për një Shqipëri pa opozitë, ai sot është në rreth të kuq dhe është i pashpresë. 4 rezoluta ndërkombëtare si për asnjë vend tjetër e shpallin Edi Ramën armik të votës së lirë. E shpallin Edi Ramën narkodiktator. E shpallin Shqipërinë, narkoshtet. E shpallin drejtësinë e Edi Ramës, të kapur nga politika. Shpallin zgjedhjet në Shqipëri, farsë elektorale. Edi Rama të ardhme nuk ka. Jam këtu në këtë shesh, kur erdha në Vlorë, që nisa lëvizjen, unë para Ismail Qemalit kam bërë një betim. Jam betuar para tij se këtë tradhtar do e largoj nga Shqipëria. Do e çoj në Beograd. Do e bëj këtë për Ismail Qemalin. Do e bëj këtë për cdo shqiptar. Do e bëj këtë për Vlorën. Do e bëj këtë për Shqipërinë. Edi Rama, je në rreth të kuq. Fundi të pret. Edi Rama, nuk mund të luash ti me fatin e Shqipërisë”, tha Berisha nga Vlora. (A2 Televizion)