“Unë kryeministër, ai djalë presidenti”, Rama: Nuk kam tentuar ta takoj Don Jr., nuk kam arsye

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 22:02 | Politikë

“Unë kryeministër, ai djalë presidenti”, Rama: Nuk

Pak ditë më parë, djali i Presidentit amerikan, Donald Trump, përgënjeshtroi një lajm në të cilin thuhej se ai kishte anuluar një takim me kryeministrin Edi Rama. Vetë Rama, i pyetur lidhur me këtë çështje në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, tha se nuk kishte fare në plan të takohej me Donald Trump Jr.

“As nuk e njoh, as kam tentuar ta takoj. As nuk kam arsye që të tentoj ta takoj, sepse ai është djali i presidentit dhe unë jam kryeministri i Shqipërisë. Nëse do të vijë në Shqipëri, është shumë i mirëpritur, por që unë të tentoj ta takoj atë diku tjetër, nuk e di për cilën arsye”, tha Rama.

Edhe pse nuk ka post në administratë, Trump Jr. ka zhvilluar vizitë në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Vizita bëri bujë në Kosovë dhe Shqipëri, sepse në podcast-in e zhvilluar me presidentin serb, ai publikoi një hartë, ku Kosova shfaqet si pjesë e Serbisë.

Mediat ruse dhe serbe e komentuan këtë si një kthesë të politikës amerikane dhe garanci se autoritetet serbe do të kenë më shumë mirëkuptim në Shtëpinë e Bardhë kur është fjala për çështjen e Kosovës. Vuçiç i tha djalit të presidentit amerikan se si i kujton rregullisht zyrtarëve evropianë se ligji ndërkombëtar, të cilit ata i referohen kur flasin për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk zbatohet për Serbinë dhe integritetin e saj territorial.

Don Jr. gjithashtu ka zhvilluar edhe një vizitë në Groenlandë, ishullin pjesë të Danimarkës, të cilin babai i tij dëshiron ta bëjë pjesë të Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos