Kryeministri Edi Rama zhvilloi një intervistë ekskluzive në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN. Lexoni më poshtë pjesët më pikante të saj.
- - -
“Ka mbetur edhe një hallkë për t’u këputur”. Rama tregon në “Off the Record” pse kanë rëndësi zgjedhje e 11 majit
Kryeministri Edi Rama tha në një intervistë ekskluzive në “Off the Record” në A2 CNN, me gazetarin Andrea Danglli, se zgjedhjet e 11 majit janë më të rëndësishmet për vendin, për shkak të objektivit madhor që ka Shqipëria, atë të integrimit të plotë në familjen e madhe europiane.
“Zgjedhjet e 11 majit do të përcaktojnë fuqinë që do të ketë Shqipëria për t’u përballur me procesin e integrimit në BE, që ne kemi si objektiv vitin 2027. Për herë të parë që nga rënia e komunizmit, BE na ka hapur derën dhe ne duhet ta lëmë që të mbyllet. Më 11 maj luan një rol të rëndësishëm në këtë pikë”, tha Rama, shkruan A2 CNN.
Sipas tij, vota për Partinë Socialiste më 11 maj, shkëput Shqipërinë nga e shkuara. “Shkëputja nga e shkuara dhe sidomos nga e shkuara jonë, si vend dhe popull, nuk është një vend, është proces. Dhe faktikisht zinxhirët e të shkuarës kanë qenë shumë të gjatë dhe sot ka mbetur një hallkë e fundit për t’u këputur. Dhe me hyrjen e Shqipërisë në BE e shkuara është përfundimisht e shkuar dhe e ardhmja bëhet përfundimisht e sotme”, shtoi Rama.
Premtimi për ujë 24 orë në ditë, Rama: Nuk është zotim i pambajtur, populli e di dhe voton masivisht PS
Në fushatat e kaluara, kur kërkonin votën e shqiptarëve, Edi Rama dhe Partia Socialiste premtuan ndër të tjera ujë 24 orë në ditë, dhe shumë të tjera. A ka Edi Rama deklarata që nuk do të donte t’i kishte bërë në fushatat e të shkuarës, si ajo “Nëse nuk e bën një punë për 8 vite, mos e bëj më”, apo “Ujë 24 orë”...
“Jo, nuk kam asnjë problem për çfarë kam thënë. Kur kam folur për ujin e pijshëm kam pasur një tablo të caktuar përpara. Dhe kur kam filluar punë me skuadrën time, kemi parë që situata ishte edhe më keq se sa mund ta shikonim edhe nga jashtë”, u përgjigj kryeministri në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Por sot kemi faktet përpara, nga një vend që kishte vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë, kemi një vend që ka 43 zona urbane, 98 zona rurale, ka 11 zona të tjera që janë sot që flasim në kantier dhe mbeten dhe 5 zona të fundit që i përkasin mandatit të katërt. Kështu që arsye pse këto lloj ngacmimesh që përdoren për të treguar që ky i ujit të pijshëm është zotim i pambajtur nuk funksionojnë, është se populli e di, e ka ujin në çezmë. Prandaj rezulton se shqiptarët mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e duhur dhe siç e tregojnë sondazhet, ata votojnë masivisht Partinë Socialiste”.
“Mendoj se shqiptarët janë më të zgjuar se unë, dhe pikërisht se e respektoj lumturinë e këtij populli jam shumë i vëmendshëm se çfarë flas dhe si i transmetoj gjërat që bëj ose dua të bëj”, shtoi ai.
“Autizmi politik flinte diku në kokën time”... Rama: U ndjeva fajtor përballë lëndimit qoftë edhe të një nëne të vetme
Gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama u detyrua të kërkonte ndjesë për shkak të përdorimit të termit “autik politik” për personat që zgjidhnin të votonin për opozitën dhe jo për Partinë Socialiste.
I pyetur në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, pse e përdori atë term, por edhe për fjalorin që përdor në përgjithësi për opozitën, Rama u përgjigj: “Satirat dhe karikaturat nuk hynë në bullizim. Ato kanë status të veçantë në botën e sotme, sepse demokracia dhe liria e shprehjes, satirën dhe karikaturën, i konsideron si forma të larta shprehjeje... Ju futët aty edhe fjalën autik. Unë e kam përdorur krejt ndryshe nga sa u manipulua, sepse kam folur për autizëm politik. Dhe nëse do t’i referoheni literaturës, këtë terminologji do ta gjeni në literaturën akademike dhe politike, të përdorur shumë shpesh”.
“Këtë shpjegim bëra dhe unë, që ajo diku flinte në kokën time dhe doli në atë moment. Por përballë lëndimit të qoftë edhe një nëne të vetme të një fëmije autik, unë u ndjeva fajtor dhe kërkova ndjesë për të gjithë ata prindër të fëmijëve autik, që përpos të tjerave, sepse unë, - për shkak të detyrës kam mësuar edhe për autizmin, janë fëmijë të jashtëzakonshëm - ndërkohë që shpreha të gjithë neverinë time për ata që e përdorën këtë shprehje për ta futur në këtë kategorizimin e përgjithshëm”.
Çfarë janë “këneta” dhe “bufi” sipas Edi Ramës?
Në një interviste ekskluzive në “Off the Record” në A2 CNN, me gazetarin Andrea Danglli, kryeministri Edi Rama dha një shpjegim për termin më të përdorur prej tij gjatë kësaj fushate, “këneta” dhe “bufi i kënetës”, drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Këneta nuk është bullizim. Është metafora e një realiteti shumë konkret dhe shumë të prekshëm. Opozita jonë është kënetë, është uji i ndenjur. Ka mbetur në mëshirën e një individi të pashpresë që e ka marrë peng gjithë opozitën, ndërkohë që mezi lidh fjalitë e veta, për shkak se edhe mosha ka bërë të vetën. Kështu që është kënetë”, tha Rama.
“Ky individ, i cili ka marrë një status në fakt, një status të cilin ia keni vënë të gjithë ju, duke ia pranuar të gjitha llojet e katran me bojërave që nxjerr çdo ditë për këdo që është jashtë perimetrit të kënetës, për mua personalizon ekzatësisht bufin e kënetës. Shpendi që rri në kënetë, që ushqehet me krijesat aty brenda. Sepse ky individ ushqehet me krijesat aty brenda. Prandaj ajo parti, e lindur si parti e shpresës, nuk arrin dot të shpëtojë nga kthetrat e këtij bufi dhe mbetet një kënetë ku, të gjithë ata që janë pak më ndryshe, o gëlltiten nga bufi, u mbyten në ujërat e kënetës. Primaret ishin shëmbëlltyra më spektakolare e kësaj që po them, si fituesit e primareve u gëlltitën nga bufi dhe u zhdukën nga listat. Nëse do të ishte garë, fituesit nuk do të përfundonin në barkun e bufit dhe nuk do të ishin persona në kërkim, në kuptimin që nuk dihet ku janë, nga pikëpamja politike”.
Mbylli TikTok, por Noizy i këndon në fushatë, Rama: Nuk e njoh për të dhunshëm, është i këndshëm në bisedë
Kryeministri Edi Rama u pyet në “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN edhe për zgjedhjen e Rigels Rajkut, të njohur si Noizy, për të kënduar këngën e fushatës së Partisë Socialiste, një reper që njihet për tesktet me dhunë. Vendim ky, në një kohë kur qeveria e drejtuar prej tij bllokoi aksesin në rrjetin social TikTok pikërisht për shkak të videove të dhunshme që promovohen aty.
“Ai nuk është personi, ai është personazhi. Pra personazhi paraqitet në atë rrymë muzikore e cila ka ato karakteristika. Dhe ne nuk jemi akoma një vend ku t’iu mbyllim gojën këngëtarëve. Për mua pala tjetër ka vetëm një melodi, që është kua-kua-kua, melodia e kënetës. Ndërkohë që për sa i përket personit, është një njeri që nuk e njoh fare për të dhunshëm, por një djalë shumë i talentuar, por krejtësisht i këndshëm në bisedë. S’kam parë asgjë tjetër veç tyre”, tha Rama.
I pyetur nëse do të kërkonte mbylljen e TikTok nëse do të kishte qenë në opozitë, Rama u përgjigj: “E mbyllëm TikTok me kërkesën e 95% të prindërve dhe mësuesve të Republikës së Shqipërisë”.
"Rezoluta e PPE, fletërrufe e shkruar nga bretkosat e kënetës, kryetarët e partive do jenë në Tiranë më 16 maj"
Kryeministri Edi Rama e cilësoi “fletërrufe të kënetës” rezolutën e miratuar nga Partitë Popullore Europiane këtë javë, për lidhjen e të ardhmes europiane të Shqipërisë me zgjedhjet e lira.
“Është një fletërrufe e kënetës. E di shumë mirë si funksionojnë konferencat e partive që mblidhen të gjithë bashkë. Një parti aty fut një tekst, është i shkruar fund e krye nga grupi i bretkosave që merren me këtë temë, edhe ata e kalojnë. Por në ndërkohë ju bëj me dije se të gjithë kryeministrat e atyre partive që ishin në atë mbledhje, ashtu sikundër edhe presidentja e KE dhe kryetari i KE, etj., do të jenë në Tiranë më 16 maj. Dhe faktin që vijnë në Tiranë për të mbajtur Samitin e Komunitetit Politik Europian, flet shumë qartë se çfarë është Shqipëria e sotme”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
I pyetur kur do të marrë fund kontestimi i zgjedhjeve në vendin tonë, Rama kujtoi zgjedhjet kur PS fitoi mandatin e parë. “Ato zgjedhje në 2013-n nuk janë kontestuar sepse kush e kishte në dorë t’i organizonte, i humbi dhe nuk kishte çfarë të kontestonte. Por për sa kohë në krye të kënetës do të vigjilojë bufi i kënetës, nuk do të ketë zgjedhje të pranuara në Shqipëri”.
Kandidatë me probleme me SPAK në listat e PS, Rama: Kemi kritere të brendshme, jo ato që shihni ju nga jashtë
Kryeministri Edi Rama komentoi në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN edhe përzgjedhjen e bërë për listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.
I pyetur rreth përfshirjes së disa kryebashkiakëve në lista, ai tha: “Do të sjellin vlerë të shtuar kapacitet e tyre përfaqësues të atij komuniteti ku kanë bërë sukses”.
Sa i përket personave që kanë probleme me SPAK, si Plarent Ndreca, ndërkohë që mungojnë emra si Ditmir Bushati, Denis Deliu, kryeministri shtoi: “Ai nuk është i pandehur dhe as i dënuar. Ne kur hartojmë listat kemi një listë të caktuar kriteresh që nuk janë të lidhura me thjesht ato që mund të shikoni ju nga jashtë, por me shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë më skuadrën, përkushtimin, etj. Fakti që nuk janë pjesë, nuk do të thotë që vlejnë më pak”.
“Version laik i të ndjerës LSI”, Rama sulmon partitë e reja: Nuk kanë asnjë kapacitet qeverisës
Kryeministri Edi Rama sulmoi partitë e reja që garojnë më 11 maj për zgjedhjet parlamentare, duke i quajtur “version laik i të ndjerës LSI”.
“Po të shikoni që skuadra jonë është shumë më e re se të tjerat, përfshi edhe ata që kanë të re vetëm moshën dhe thonë “Jemi e reja që po vjen” dhe është njëkohësisht skuadra më e vjetër, për shkak se ka ndërhyrje mes energjisë së re dhe eksperiencës. Ata nuk kanë as ide të reja, as programe të ndryshme nga programet e çdo lloj force spekulante që s’ka gjë në dorë që premton gjithçka përveç nënës dhe babës dhe nuk ka, mbi të gjitha, asnjë kapacitet qeverisës”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Kam mundur të shoh disa nga gjërat kryesore dhe kam parë edhe qasjen destruktive, agresive dhe gjuhën skandaloze dhe kam parë se si, për shembull, ndërkohë që Shqipëria duhet të mbyllë negociatat me BE në vitin 2027, ata thonë që po na erdhi ne në dorë kjo punë, do të shkojmë zgjedhje të parakohshme. Domethënë janë thjesht një version laik i të ndjerës LSI”.
Lobimi i PD, Rama: Vetëm maja e ajsbergut, kontratë korruptive dhe e frikshme
Kryeministri Edi Rama e quajtur korruptive dhe të frikshme kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA. Nga studio e “Off the Record”, me Andrea Dangllin në A2 CNN, Rama tha se, pavarësisht që edhe PS ka bërë të njëjtën gjë në të shkuarën, nuk ka arritur kurrë në shifra si ajo e PD, që sipas raportimeve kap vlerën 6 milionë dollarë.
“Ne si parti e kemi bërë, e kemi bërë dhe ne në një moment të caktuar kur kemi menduar se ka një vlerë të caktuar, por eksperienca na ka treguar se çfarëdo shume parash, megjithëse ne nuk kemi shkuar kurrë, as në imagjinatë në shuma si këto që janë shfaqur ditët e fundit në kontratën korruptive dhe të frikshme në një farë mënyre, sepse është vetëm maja e një ajsbergu dhe ato para tregojnë për një kapacitet deformues të vetë zgjedhjeve dhe nuk kemi parë ndonjë vlerë të shtuar nga kjo praktikë. Nëse sot do të paraqitej një situatë e ngjashme me situatat që na kanë shtyrë asokohe ta bënim, sot s’do e bëja”, tha Rama.
Berisha ka strategun e Trump, Rama zbulon për herë të parë njeriun e Angela Merkel që e këshillon
Partia Demokratike kontraktoi Chris LaCivita në fushatën e PD, njeriun që bashkëdrejtoi fushatën e Donald Trump në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA. I pyetur nëse të njëjtën gjë ka bërë edhe PS, kryeministri Edi Rama tha në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN se ai nuk ka nevojë për këshilltarë dhe zbuloi për herë të parë se cili është njeriu i Angela Merkel me të cilin bashkëpunon për çështjet ekonomike.
“Ne nuk kemi nevojë për konsulenca fushata, kemi nevojë për këshilla qeverisjeje, prandaj kam këshilltarë të jashtëm kryeekonomistin e Angela Merkel-it për 10 vjet, Lars-Hendrik Röller, një nga personalitetet më të mëdha të fushës. Kam fatin të këshillohem me Ricardo Hausmann, është drejtues për Qendrën Zhvillimore Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, dhe të dy këta janë dy burime të jashtëzakonshme dijeje lidhur me ekonominë, financat dhe aspektet e zhvillimit, ndërkohë që sa i përket këshillimit në fushatë, kam pasur fatin të punoj me dikë që nuk jeton më prej vitesh, kam mësuar mjaftueshëm nga ai dhe mund ta bëj vetë gjithçka”, tha Rama.
Nga fatkeqësi për botën, në njeriun që do të zgjojë Europën, Rama tregon pse ndryshoi mendje për Donald Trump
Kryeministri Edi Rama komentoi në “Off the Record” në A2 CNN ndryshimin e qëndrimit rreth Donald Trump, për të cilin dikur tha se do të ishte fatkeqësi për gjithë botën nëse zgjidhej president.
“Atë deklaratë e kam bërë për kandidatin për president. Pastaj ai u bë president i Shteteve të Bashkuara. Unë kam pasur rastin ta njoh, e kam ndjekur siç e kanë ndjekur të gjithë. Nuk ka asnjë dyshim që e respektoj si president i SHBA”, tha Rama.
Çfarë deklaronte Rama për Trump në vitin 2016?
Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.
Edi Rama, intervistë për CNN
Çfarë deklaronte Rama për Trump në mars të vitit 2025?
Ndoshta, Zoti i shpëtoi jetën Donald Trump-it jo vetëm për të bërë Amerikën të madhe sërish, por edhe për të zgjuar përfundimisht Europën dhe për ta bërë të kuptojë se nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj se nuk është njësoj.
Edi Rama, mars 2025, gjatë fjalës në marrjen e titullit “International Charlemagne Prize” në Tiranë
Çdo ndodhë me ishullin e Sazanit? Rama në “Off the Record”: Është serioze, nisi kur Trump mund të shkonte burg
Kryeministri Edi Rama e quajti tepër serioz projektin për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit, ku është i përfshirë edhe dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner.
“Ajo ide ka avancuar, dhe do të avancojë deri në fund, sepse nuk ka lidhje me Donald Trump-in. Dhe përsëri, edhe sot që ai është president i SHBA, ai projekt nuk ka lidhje me Donald Trumpin. Nuk është bërë pse Donald Trump ishte kandidat për president, sepse ka filluar kur nuk e llogariste njeri si fitues të mundshëm dhe madje shumica mendonin që do shkonte dhe në burg dhe nuk do të vazhdojë pse ai është president sot. Ai është një projekt tanimë shumë serioz dhe do të vazhdojë. Ka marrë edhe një miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit si fillim, do të vijë për një miratim të dytë, sipas ligjit, dhe do të vazhdojë”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Çfarë do të ndërtohet në Sazan
Në janar të këtij viti, komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama ka miratuar statusin e investitorit strategjik për projektin 1.4 miliardë Euro të Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në ishullin e vetëm të Shqipërisë.
Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, citohet se “projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike”. Më tej theksohet se resortet turistike do të ndërtohen në një sipërfaqe 45 hektarë tokë, si dhe parashikohet përmirësimi dhe riparimi marinës aktuale në Sazan, shkruan A2 CNN.
Duke qenë se ishulli i Sazanit është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesë e planit të përhapjes së ushtrisë, vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike është paraprirë nga një dekret i Presidentit që e ka nxjerr nga plani i përhapjes së FA këtë zonë.
Kushner nuk do të jetë i vetëm në këtë investim, pasi në vendim sqarohet se edhe shteti shqiptar do të jetë bashkëpjesëmarrjes në investim.
“Unë kryeministër, ai djalë presidenti”, Rama: Nuk kam tentuar ta takoj Don Jr., nuk kam arsye
Pak ditë më parë, djali i Presidentit amerikan, Donald Trump, përgënjeshtroi një lajm në të cilin thuhej se ai kishte anuluar një takim me kryeministrin Edi Rama. Vetë Rama, i pyetur lidhur me këtë çështje në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, tha se nuk kishte fare në plan të takohej me Donald Trump Jr.
“As nuk e njoh, as kam tentuar ta takoj. As nuk kam arsye që të tentoj ta takoj, sepse ai është djali i presidentit dhe unë jam kryeministri i Shqipërisë. Nëse do të vijë në Shqipëri, është shumë i mirëpritur, por që unë të tentoj ta takoj atë diku tjetër, nuk e di për cilën arsye”, tha Rama.
Edhe pse nuk ka post në administratë, Trump Jr. ka zhvilluar vizitë në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Vizita bëri bujë në Kosovë dhe Shqipëri, sepse në podcast-in e zhvilluar me presidentin serb, ai publikoi një hartë, ku Kosova shfaqet si pjesë e Serbisë.
Mediat ruse dhe serbe e komentuan këtë si një kthesë të politikës amerikane dhe garanci se autoritetet serbe do të kenë më shumë mirëkuptim në Shtëpinë e Bardhë kur është fjala për çështjen e Kosovës. Vuçiç i tha djalit të presidentit amerikan se si i kujton rregullisht zyrtarëve evropianë se ligji ndërkombëtar, të cilit ata i referohen kur flasin për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk zbatohet për Serbinë dhe integritetin e saj territorial.
Don Jr. gjithashtu ka zhvilluar edhe një vizitë në Groenlandë, ishullin pjesë të Danimarkës, të cilin babai i tij dëshiron ta bëjë pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Mungesa e ambasadorit amerikan në Tiranë, Rama: SHBA, mjaftueshëm afër Shqipërisë, kam kohë që nuk i bëj lajm takimet me diplomatët
Që prej 26 qershorit 2023, kur Yuri Kim u largua nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dërguar ende një ambasador në vendin tonë, ndërsa janë përfaqësuar nga e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn.
Mungesën e një ambasadori amerikan në vend, Rama nuk e sheh si largim të amerikanëve. “Unë kam ndërprerë bërjen e lajmeve për takimet me ambasadorët që kur kam ardhur në detyrë, edhe kur isha në bashki nuk bëja... vetëm në raste të rralla, sepse më duket gjëja më e pakuptimtë. SHBA janë mjaftueshëm afër Shqipërisë dhe nuk shoh asnjë largim. Ndërkohë që për sa i përket funksionimit të tyre të brendshëm, nuk është çështja ime, është çështja e tyre”, tha kryeministri në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Plakja e popullsisë dhe braktisja e fshatrave, Rama: Tendencë që po rritemi ekonomikisht, shqiptarët do kthehen
Raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara vlerësojnë se Shqipëria kryeson për normat në rënie të lindjes dhe plakjen e popullsisë, por kryeministri Edi Rama nuk e sheh këtë si një problem shqetësues.
Shefi i qeverisë tha në “Off the Record”, me Andrea Dangllin në A2 CNN se “demografia është shqetësim për të gjithë Europën”, jo vetëm për Shqipërinë, por rënia e lindjeve sipas tij “është karakteristikë e vendeve që rriten ekonomikisht, gjithmonë”.
Për më tepër kryeministri ndau bindjen se shqiptarët do të kthehen nga mërgimi sapo Partia Socialiste sipas tij të bëjë të mundur anëtarësimin e vendit në BE, në vitin 2030.
“E kërcënojnë nëse flasim për një afat shumë të gjatë, por ndërkohë kam shumë besim që shenjat e kthimit të shqiptarëve, do të vijnë duke u forcuar dhe në momentin kur do të arrijmë të anëtarësojmë Shqipërinë në BE dhe të rrisim pagat aty ku i kemi projektuar në Shqipërinë 2023, shqiptarët do të kthehen gjithnjë e më shumë këtu”, deklaroi Rama në “Off the Record”, me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Rama: Me pasaportën europiane, Shqipëria do të bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja më e vogël sa Shqipëria
Kryeministri Edi Rama shpjegoi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN rëndësinë e pasaportës europiane, të cilën Partia Socialiste e ka premtimin kryesor të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
“Pasaporta europiane është status i ri, për ty personalisht që sot, ti je një shqiptar, je i huaj për BE-në, pavarësisht se je pjesë e një populli që është ndër më të vjetrit në Europë, dhe që gjeografikisht banon mu në zemër të Europës. Me marrjen e asaj pasaporte, ti nuk do të jesh më i huaj në BE dhe Shqipëria do të bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do të bëhet e vogël sa Shqipëria. Kjo është pasaporta europiane”, sqaroi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Në vijim, Rama tha se nuk kemi të bëjmë me një simbolikë, por rëndësinë e të jetuarit si qytetar i BE-së, duke përfituar nga shërbimet shëndetësore, arsimore etj...
“Kjo nuk është simbolikë dhe radha në aeroport është më e pakta. Nëse je i huaj në BE, si i huaj nuk je i barabartë me qytetarët e BE. Ndërsa je me pasaportë europiane je i barabartë me të gjithë qytetarët e BE. Studentët nuk do ta paguajnë dhjetëfish, siç paguajnë sot kur nuk janë qytetarë të BE-së. Kanë të njëjtin akses në sistemin shëndetësor të Europës, etj. Pra kthehemi në qytetarë të një hapësire shumë të madhe që nuk rrethohet më nga kufijtë e Shqipërisë, por të BE-së”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
“Serbia po na mban me qumësht”, Rama: Shqipëria ka PPB më të lartë e çmimet më të ulëta në rajon
I vendosur në “Off the Record” përballë shifrave të importeve që tregojnë rritje dhe rënie të prodhimit vendas, e faktit se në raftet e supermarketeve gjen qumësht serb, kryeministri Edi Rama e pranoi se industria e Shqipërisë është “më pak e zhvilluar në krahasim me rajonin”.
“Kjo është e vërtetë”, tha shefi i qeverisë, duke shpjeguar më tej se kjo ndodh për shkak se “rajoni ka një industri të trashëguar nga koha e Jugosllavisë të cilën nuk e çoi për skrap, siç e çuam ne në Shqipëri, ku çdo gjë u rrafshua”.
“Madje këtu u rrafshua edhe industria ushtarake, që ishte më e fuqishmja në rajon, në atë kohë”, pohoi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Por për kryeministrin ka një të vërtetë tjetër, ku Shqipëria del mbi fqinjët në rajon, e që lidhet me vrullin e turizmit në vendin tonë.
“Ka një aspekt tjetër ama që kjo është po kaq e vërtetë. Ne kemi një industri të re të turizmit, ku kemi kapërcyer të gjithë rajonin dhe sot, jo rastësisht kemi aeroportin me rritjen më të lartë në të gjithë Europën. Kemi tejkaluar për numër pasagjerësh aeroportin e Beogradit, kështu që këto gjëra duhen parë në kompleks, nuk merret vetëm një copë, për të treguar se jemi të fundit”, deklaroi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Më tej kryesocialisti tha se ne “jemi vendi me Prodhimin më të lartë të Përgjithshëm Kombëtar, në këtë dekadë, në rajon”. Rama pretendon se në këtë drejtim kemi diferencë të thellë me vendet e tjera, e për më tepër dominojmë mbi ta edhe me çmimet e ushqimeve bazë, të cilat janë më të ulëtat.
“Ne kemi rritjen më të ulët të çmimeve, duke iu referuar FMN-së dhe gjithë organizatave të tjera ndërkombëtare. Dhe kemi rritjen më të lartë të pagave në rajon siç kemi edhe rritjen më të lartë të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar në rajon, në dekadën e fundit. Kemi pasur më pak se 3 miliardë euro eksporte, tani kemi më shumë se 9 miliardë euro. Mesatarja e rajonit është shumë më e ulët se sa rritja e Prodhimit të Përgjithshëm. E kemi nisur me më pak se 10 miliardë euro, sot jemi 25 miliardë euro. Dhe ky është prodhim... Dhe projektojmë 35 miliardë euro në Shqipërinë 2030. Ne prodhojmë, por nga ana tjetër mos harrojmë që jemi në treg të hapur dhe sigurisht që funksionon logjika e çmimit më të ulët dhe kush ka masë kritike ka edhe kapacitet që të ofrojë çmime më të ulëta”, theksoi kryeministri në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
“BE bllokoi fondet për korrupsion”, Rama e mohon: Me fondet e IPARD janë financuar 500 projekte
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si adresim i disa parregullsive, hetimet e Bashkimit Europian për korrupsion me fondet e programit IPARD II, të cilat dyshohet se mund të jenë keqpërdorur nga ministria e Bujqësisë në Shqipëri.
Rama tha në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 ÇN se përmes skemës IPARD II janë financuar 500 projekte në vend, pasi fondet janë çlriruar pas adresimit të problemit në qeveria, me tërheqjen e vëmendjes nga BE.
“Një pjesë e konsiderueshme e atij fondi është disbursuar dhe sot në Shqipëri ekzistojnë 500 projekte që nuk ekzistonin më përpara dhe në të cilat ka kontribut ky fond. Dhe ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të tjera brenda BE, rasti i fundit ishte në Kroaci, Komisioni Europian ka një strukturë auditimi, ka gjetur ca parregullsi dhe ka kërkuar që ne të adresojmë parregullsitë nga pikëpamja sistemike dhe ne po bëjmë këtë gjë”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 ÇN.
Rama zbulon në “Off the Record” lajmin e mirë për pensionistët
Pensioni mesatar në mandatin e katërt të qeverisë Rama do të jetë 400 euro. Kështu deklaroi kryesocialisti Edi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, duke shtuar edhe se reforma e pensioneve që PS ka aplikuar, ka rezultuar efektive dhe në më shumë përfitime për këtë shtresë të shoqërisë.
Sipas Ramës nëse njëri bllok i pensionistëve e di pse përfiton më pak se sa blloku tjetër për të njëjtat vite pune, “ata e kanë për faj të kënetës”. Ndërkohë fakti që dikush tjetër i ka më të larta përfitimet, sipas Ramës është pikërisht “për shkak të reformës që kemi bërë ne”.
“Është e suksesshme sepse kemi dy blloqe pensionistësh, njëri bllok, ai që ka dalë pas reformës, ka pensione shumë më të larta se ai që ka dalë para reformës. Dhe me ata që kanë dalë para reformës, kemi qenë shumë të qartë, që kemi ndryshuar të gjithë sistemin që gjenerata tjetër të mos bjerë në gropë. Por ama jemi po ashtu të vetëdijshëm që edhe atyre duhet t’iu gjendemi më pranë. Pikërisht tani, sepse tani ekonomia ka filluar të xhirojë me një ritëm që nuk do të ndalet as në katër vitet e ardhshme. Dhe duke pasur të ardhura më të larta, do të rrisim pensionin minimal. Dhe ndërkohë do të shkojmë, sipas analizave që kemi bërë, në 400 euro pension mesatar, për ata me sigurime të plota”, deklaroi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Për kryeministrin, pensionistët janë të vetmit që “nuk jetojnë në guaskën e botës mediatike, por jetojnë në jetën reale”. Rama thotë se për të gjitha këto arsye kjo shtresë e popullsisë më 11 maj do të votojë Partinë Socialiste.
“Pensionistët janë më të mirët në aritmetikë. Se këtu ka nisur edhe një kontestim i madh i aritmetikës. 7x7 bëjnë 42, tani doli që nuk bëjnë 42, bëjnë 6 milionë. Ndërsa ata nuk kalkulojnë vetëm pensionet e tyre, ata ndryshe nga të tjerë u mbeten sytë te bufi ndjekin edhe çfarë themi ne për ta dhe për këtë arsye, ata në shumicë do të votojnë Partinë Socialiste sepse e dinë që ne jemi seriozë”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Do heshtësh apo do e sulmosh SPAK? Rama: Garantët e drejtësisë jemi vetëm unë dhe PS
Raportet me drejtësinë, kryeministri Edi Rama i cilëson të rëndësishme për mandatin e katërt, që Partia Socialiste synon të fitojë në zgjedhjet e 11 majit.
Rama tha në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN se media e interpreton marrëdhënien e tij me SPAK në mënyrë të ngushtë, por e sigurtë është që PS është garantja e drejtësisë së re.
“Është e kotë të kthehem për t’iu thënë që ju atë e interpretoni në mënyrë të ngushtë. Ajo që ka rëndësi sot është se gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë që, më 11 maj, të gjithë shqiptarët duhet të fitojnë PS, duhet të bashkohen te PS, për një arsye shumë të thjeshtë përtej gjithë të tjerave, por për një arsye themelore: Për momentin ne jemi të vetmit garant të përpjekjes së parë në histori për barazi përpara ligjit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë. Këto ndodhin sot vetëm për një arsye, për vendosmërinë dhe përkushtimin e PS në raport me besimin e marrë nga populli se ata që merren me komente, ata i reduktojnë shumë unë them apo i reduktojnë shumë edhe simbolikat e fushatave të mia”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Më tej, kryeministri nënvizoi se pushteti që u kërkoi shqiptarëve në 2013 për të reformuar drejtësinë, u provua që ishte një fjalë e mbajtur.
“Kur unë thosha më jepni timonin që të mos kem të tjerë në prehër për të garantuar reformën në drejtësi, sepse dua një drejtësi që të godasë majtas dhe djathtas, koha tregoi se ata bënë shumë mirë që ma dhanë timonin pa të tjerë në prehër dhe sot kemi një drejtësi që godet majtas dhe djathtas, kjo është e vërteta”, deklaroi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Por që drejtësia sipas Ramës, “të garantohet një herë e mirë, nuk duhet lënë në duart e atyre që qeverisin, apo që do të qeverisin në Shqipëri në të ardhmen, por duhet kyçur Shqipëria brenda në sallonin kryesor të Bashkimit Europian, sepse vetëm aty nuk ka ku lëviz askush që qeveris këtu, për të bërë lojëra me drejtësinë”.
Kapitullin e SPAK, drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit, Rama e mbylli duke nënvizuar se kjo është arsyeja përse i duhet një mandat i katërt.
“Vendosja në dukje e problematikave nuk është gjë tjetër veç se një kontribut në funksion të një qëllimi të madh, që është ky qëllim. Por ajo që ka rëndësi është që, paprekshmëria dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të diskutohet dhe garantët e vetëm për të jemi ne, PS dhe unë në krye të saj. Lufta ndaj korrupsionit është shumë e rëndësishme dhe ne po e bëjmë me një vullnet të jashtëzakonshëm. Dhe pikërisht pse po e bëjmë me vullnet të jashtëzakonshme na ka hapur derën Bashkimi Europian. Dhe hapim me një shpejtësi që nuk ka ndodhur më parë për vende të tjera. Jemi me diferencë të parët në rajon për integritetin e prokurimeve publike, sipas Komisionit Europian. Kemi bërë kapërcim historik në menaxhimin e financave publike dhe jemi të parët në rajon në menaxhimin e financave publike, sipas Komisionit Europian. Kemi bërë kapërcim historik në administratën publike dhe prandaj edhe aty kemi vlerësim të lartë nga Komisioni Europian. Patjetër që ka akoma për të bërë. Pikërisht për këtë dua dhe mandatin e katërt për PS, sepse ka akoma për të bërë”, u shpreh Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Pse nuk del në debat me Berishën? Rama: S’më ka lënë të vdekur pa më pështyrë
Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë ftesën për debat, që rivali i tij, Sali Berisha i ka bërë disa herë gjatë kësaj fushate elektorale.
I pyetur pse e refuzon përballjen me kreun e PD, Rama tha: “Nuk i përmbush kushtet për të pasur fatin e një debati me mua, një individ katran me bojë, i cili nuk ka lënë të vdekur e të gjallë të shtëpisë sime, pa pështyrë e pa shkelur me këmbë”.
E njëjta pyetje iu bë shefit të qeverisë edhe për 10 kandidatët e tjerë në garën për kryeministër, disa prej të cilëve, si për shembull Adriatik Lapaj e Lulzim Basha e kanë ftuar në debat. “Nuk i njoh si kundërshtarë në kuptimin... Ata tani janë por, me Lulin unë më shumë se sa të komunikoj me video “selfie”, nuk besoj se mund të bëj”, u përgjigj Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
(A2 Televizion)