Krah Fredi Belerit, krydemokrati Sali Berisha e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e burgosi dhe e ndaloi eurodeputetin grek që të betohej, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar që të kandidonte për Partinë Socialiste në Himarë.
Berisha tha po ashtu se Himara ia ka dhënë gjithnjë përgjigjen pushtimeve dhe të njëjtën gjë bëri me Edi Ramën, duke i treguar vendin me votën për Fredi Belerin.
“Ta marrë veshë Edi Rama që Himara ia ka dhënë gjithmonë përgjigjen pushtimeve, dhe Himara me Fredi Belerin ia dha edhe Edi Ramës. Donald Trump tha se armik më i madh është armiku i brendshëm, që përdor drejtësinë për të marrë mandatin e të zgjedhurve pasi nuk i mund dot në fushë-betejë. Ju e votuat (Belerin) dhe ai përdori drejtësinë si burracak, për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin, bëri një kurth të vjetër të shpifur si ato që kurdiste ish-sigurimi i shtetit. Prokurorët dhe gjykatësit e tij nuk e lejuan Belerin të vinte e të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një, se Beleri nuk pranoi të kandidonte për Ramën, i tha jam i djathtë dhe kam parimet e mia, që nuk përputhen me parimet e tij për t’ju vjedhur tokën ju”, tha Berisha. (A2 Televizion)