Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin “live” në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, deklaroi se kërkoi falje për frazën “autizëm politik”, gjë që asnjë politikan tjetër nuk e ka bërë.
“Ka vetëm një gjë për të cilën kam kërkuar ndjesë, por ka qenë gabim pa dashje. Autizmi politik është një term i përdorur në literaturën politike dhe akademike. Nuk është diçka e krijuar për të fyer apo lënduar askënd, por me shumë të drejtë, u desh të gaboja që ta mësoja. Prej disa kohësh, konsiderohet e papërshtatshme kjo frazë”, deklaroi Rama, shkruan A2.
Kryeministri shtoi se asnjë lider tjetër politik nuk ka kërkuar ndjesë: “Doli krejt pa dashje, duke folur, dhe i gjendur në kushtet kur ndjeva se mund të kem lënduar prindër të fëmijëve autikë, kërkova ndjesë. Patjetër që nuk është hera e parë që gaboj. Kam bërë edhe në ndonjë rast tjetër atë që duhet të bëjë dikush që gabon, të kërkoj ndjesë. Ma gjeni dot një tjetër udhëheqës politik shqiptar që ka kërkuar ndjesë”.
(A2 Televizion)