Në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama nuk la pa komentuar gjuhën fyese që mbështetësi i demokratëve, njëherësh personazh i rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, përdori për t’ju adresuar atij në takimin elektoral të PD-së në Korçë.
Rama e ka cilësuar Vrenozin sërish si liderin e vërtetë të opozitës së vendit, ndërsa shpreh kritika dhe habi për faktin si mbështetësit dhe përfaqësuesit e lartë të opozitës iu gëzuan fjalimit të tij.
“Pastaj për të treguar se janë shumë të revoltuar shkojnë në Korçën e kulturës, e serenatave, të hallove, që quhet Parisi i vogël dhe aty e merr fjalën lideri i vërtetë i tyre, Ilir Vrenozi. Juve mendoni se unë bëj shaka. Lideri i tyre i vërtetë është Vrenozi dhe për të treguar sesa gabim kam bërë unë shfrenojnë gjuhën në një farë feje që nuk merret njeri. Nuk e thotë njeri se si mundet një parti politike të bëjë miting dhe të ekzaltohet rreth fjalëve më të ulëta të shqipes të ulëritura në mexhelis. Këto janë historitë banale të këtyre ditëve, ndërkohë që jam këtu për t’ju parë sy më sy”, tha Rama.
Më tej shefi i qeverisë nënvizoi se nuk është aspak e vërtetë që kjo fushatë nuk është pa tema dhe çështje.
“Është fushatë me çështje të madhe kombëtare thelbësore, që është takimi me historinë më 11 Maj. Fati ynë që janë përputhur yjet të Shqipërisë dhe BE për të përmbyllur një histori të pafundme drejt shkrirjes së plotë me Evropën”, u shpreh kryeministri. (A2 Televizion)