Një akt të paprecedentë, të bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, e ka cilësuar Sali berisha hetimin ndaj tij dhe dhëndrit të tij për çështjen Partizani. Në një konferencë për shtyp pak pas mbylljes së hetimit të SPAK mbi këtë çështje, ish-kryeministri akuzoi kryeministrin Edi Rama, prokurorët e SPAK dhe diplomatët amerikanë.
“Sot Edi Rama kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 mln euro dhe 3 apartamenteve si rrogëtar, ish-xhelati i policisë sekrete, Kraja, ndrikulla e bandave të rrezikshme simotra biologjike e Taulant Ballës i dorëzuan avokatëve të mi dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën, dhe të njëjtën por shtuar edhe larje parash për dhëndrin Malltezi. Ky akt i paprecedentë i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh dhe fshehje dokumentesh zyrtare do të gdhendet në memorien e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri”.
Duke i akuzuar prokuroët si politikë dhe privatë të Ramës, Berisha tha se ata vepruan në shkelje të kushtetutës dhe ligjit, shkruan A2.
Në këtë piramidë prokurorët politikë të prokurorisë private të Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumente që shpallën në hetim Berishën e Malltezin dhe vendosën në shkelje të kushtetutës e ligjeve të vendit arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit me çdo person tjetër veç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet”.
Kreu demokrat tha se ky proces, të cilin e quajti politik, erdhi pas kërkesës së diplomatëve amerikanë dhe Ramës. Berisha theksoi se pas 4 vitesh hetime nuk ka asnjë fakt dhe provë që të fajësojnë atë dhe dhëndrin e tij.
Ky proces politik kundër Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Escobar dhe Yuri Kim, pas kërkesës së Ramës në asamblenë e tij që Sali Berisha të persekutohej, ndiqej e penalizohej. Por sot pas 4 vitesh hetime shteruese ata që projektuan, porositën hetimin ndaj Berishës e dhëndrit të tij gjetën asnjë provë fakt e dokument e dëshmi që të fajësojnë Berishën e Malltezin. Kështu që do t’u mbetet turpi njëherë e përgjithmonë për aktet e tyre. Kjo akuzë është një piramidë mashtrimi që bazohet në shtyllat kryesore”. (A2 Televizion)