Flamur Noka, i deleguari i Sali Berishës për të drejtuar fushatën elektorale dhe të negociojë me aleatët, ka nisur takimet me këta të fundit.
I pari ishte Ilir Meta, të cilin vetëm pak ditë më herët e kishte cilësuar publikisht si aleatin më të rëndësishëm të PD. Presidenti i Partisë së Lirisë, konfirmoi takimin me numrin 2 të PD ndonëse nuk është arritur një marrëveshje. Meta nuk e fsheh se preferon të garojë në zgjedhjet e ardhshme me listat dhe logon e Partisë së Lirisë.
“Partia e Lirisë do të preferonte që të dilte me logon dhe flamurin e saj, por kjo është një çështje që nuk e vë në diskutuam luajalitetin e Partia e Lirisë ndaj aksionit opozitar”, tha Meta, shkruan A2 CNN.
Qasja duket e ngjashme me atë të vitit 2021, ku PD dhe atëherë-LSI garuan në lista të ndara teksa Kodi Zgjedhor avantazhon listën e përbashkët si koalicion. Një strategji kjo që gjerësisht u cilësua si përcaktuese për humbjen e opozitës gati 4 vjet më parë. Meta kërkon të respektohet zgjedhja e tij, njësoj siç thotë se respekton primaret në PD, për të cilat nuk i ka fshehur ndonjëherë rezervat.
“Respektojmë çdo vendim të PD dhe ata besoj do respektojnë vendimin tonë. Partia e Lirisë në çdo rast do preferonte fitoren e opozitës”, u shpreh Meta.
A2 CNN e pyeti edhe për mundësinë kandidimit të Monika Kryemadhit si e pavarur në Tiranë, por thotë se nuk i druhet dëmit në vota.
“Kjo puna e frikës çfarë ishte? Ilir Meta do të udhëheqë Partinë e Lirisë dhe nuk i druhet kreut të narko-shtetit”, tha Presidenti Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)