Berisha pret deputetët konservatorë britanikë, sot niset drejt Gjermanisë

Nga A2 CNN
31 Janar 2025, 11:13 | Politikë

Zgjedhjet e 11 majit, keqqeverisja e Ramës dhe ndikimi i Sorosit në vend kanë qenë temat e diskutuar në takimin e Sali Berishës me deputetët konservatorë britanikë z. Andrew Rosindell (ministër hije për Marrëdhëniet me Jashtë), z. Martin Vickers (kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar), znj. Philippa Broom anëtare e Bordit të Grave Konservatore, dhe z. Pierre Plumeajau, këshilltar, të cilët i priti dje në selinë e PD-së.

“Temat e bisedës u përqëndruan te vështirësitë e mëdha të krijuara nga keqqeverisja e Ramës dhe ndjekja e një politike të ekstremit të majtë dhe ndikimit të Soros në vend, dhe domosdoshmërinë e një përmbysje të madhe që do çrrënjosë kalbëzimin e institucioneve”, njofton zyra e shtypit e PD.

Sipas PD, “Berisha informoi deputetët britanike për përdorimin e drejtësisë si armë kundër kundërshtarit politik, dhe për shpopullimin drastik te vendit si dhe luftën frontale për asgjësimin e opozitës”.

Berisha theksoi se “programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme do të jetë transformues për Shqipërie”.

Ai theksoi se vota e diasporës, përfshirë atë në Britaninë e Madhe, do të jetë kyçe për këtë ndryshim në Shqipëri.

Ndërkohë sot Berisha do të niset drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në Kongresin Elektoral të CDU-së në Gjermani. Sipas njoftimit të PD-së, Berisha ka marrë ftese zyrtare si përfaqësues i opozitës shqiptare. Kongresi mbledh liderët e partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos