Në një takim me pedagogë, mësues dhe nxënës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar përpara tyre programin e demokratëve për arsimin dhe shkencën.
Sipas kreut të demokratëve, sistemi arsimor në Shqipëri aktualisht është në agoni, teksa programi i PD do të sjellë një transformim të thellë të të gjithë sistemit.
“Sistemi arsimor në Shqipëri, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës është pothuaj në agoni. Ky sistem, i cili, fatmirësisht ka tashmë testet botërore që vlerësojnë sistemet e arsimit, pësoi në 8 vitet e Rilindjes rënien, rrokullisjen më të madhe në botë, dhe u kthye prapa 25-30 vite në testin PISA. Test, i pranuar universalisht si test më serioz, më i besueshëm për cilësinë e arsimit.
Arsimi në Shqipëri pësoi një rrokullisje në të gjitha nivelet e tij. Sigurisht që, asgjë më të vështirë për t’u arritur dhe më të rëndësishme se cilësia e arsimit nuk ka dhe Shqipëria duhet të bënte një punë të jashtëzakonshme për të garantuar një arsim cilësor për qytetarët e vet.
Por me të gjitha vështirësitë, më të gjithë trashëgimitë që kishim, mundësitë ishin reale për përmirësime të shpejta, cilësore për të ndjekur në të gjithë drejtimet, kohën dhe zhvillimet.
Nuk dua të ndalem në situatën e arsimit gjatë qeverisjes së PD, por disa momente janë të një rëndësie thelbësore.
U arrit që në testin e PISA të kemi ngjitje vertikale. Dhe ajo ngjitje mbajti gjersa dominuan vitet e kësaj që çdo gjë mund ta quash, por vetëm rilidje jo.
Sapo vitet e periudhës së qeverisjes së PD u ezauruan, në 8 vitet e tyre u shënua një rekord i zi botëror, rekord i turpshëm, rekord si në asnjë vend tjetër, as në luftë, as në paqe i rënies me 69 pikë në cilësinë e matematikës, që është shtyllë kryesore, e rënies katastrofale në vendin e dytë më të fundit në botë në mendimin kreativ.
Imagjinoje pra, se sa larg misionit të vet është arsimi ynë sot, në qoftë se ai ka për mision kryesor aftësimin e shqiptarëve për t’u përballur me të ardhmen e tyre, për të ndërtuar të ardhmen e tyre, për të ndërtuar realitetin e tyre.
Këto janë tregues, thashë që vijnë nga organizata kombëtare, por që janë të rëndësishëm. Por treguesit këtu brenda janë edhe më katastrofalë”, tha Berisha. (A2 Televizion)