Në këto 12 vite çmimin më të shtrenjtë e kanë paguar të rinjtë shqiptarë. Kështu deklaroi kreu demokrat Sali Berisha gjatë prezantimit të programit për rininë. Në fjalën e tij Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si armik të të rinjve përmes rritjes së varfërisë, përhapjes së drogës, dhe shkatërrimit të sistemit arsimor.
“Nuk ka pasur rinia shqiptare një armik më të egër dhe më të pabesë se Edi Rama, ndonjëherë. Nëse ju analizoni këto 12 vite, çmimin më të shtrenjtë në këto 12 vite e paguan të rinjtë shqiptarë, e paguan fëmijët e shqiptarëve, e paguan ata me përhapjen e drogës dhe me humbjen e jetëve të dhjetëra e dhjetëra prej tyre. E paguan ata me shkatërrimin e shkollës, institucioni më serioz, më i rëndësishëm pas familjes për fëmijët dhe të rinjtë. Mendimi krijues i të rinjve shqiptarë në vend se të zhvillohej dhe të kalonte në nivele më të larta në shkollat tona, ra në fund, në fundin e botës për shkak të degradimit të plotë të sistemit arsimor. Tarifat, taksat, varfëruan familjet tuaja dhe ju paguani në universitete, tarifat ndër më të lartat, në mos në proporcion më të lartat në Europë. Në një kohë kur prindërit tuaj, marrin rrogat më të ulëta dhe blejnë me çmime më të shtrenjta”.
Sipas tij kjo solli edhe largimin masiv të të rinjve nga vendi.
“Kjo bëri që nga viti në vit, të rinjtë të largohen, të largohen dhe vetëm të largohen. Shqipëria të pakësohet, të rrudhet si kurrë ndofta në historinë e saj. Edi Rama në atë subkoshiencën e tij, e dinte se të rinjtë e urrejnë atë. Jo se të rinjtë janë të prirur nga urrejtja, absolutisht jo, përkundrazi, por të rinjtë arrogancën nuk e pranojnë. Të rinjtë, nuk është në psikologjinë e tyre, në formimin e tyre, ata e urrejnë çdo formë të bulizimit dhe arrogancës”.
Berisha tha se Edi Rama ka frikë nga rinia, sepse në 11 maj është dita e gjykimit të tij dhe e e verdiktit të rinisë.
“E vërteta është se, ai ka frikë të madhe nga ju. Pse ka frikë ai nga ju? Ai e di që rinia, nuk është vetëm moshë, apo vetëm fazë e jetës, është diçka tjetër më shumë, është një revolucion në shpërthim dhe këtë ai, e pa veten të shkuar pak vite më parë nga studentët. E di që 11 maji është dita e gjykimit për Edi Ramën, është dita e verdiktit tuaj”.
(A2 Televizion)