Nis monitorimi i zgjedhjeve, ODIHR: Jemi vëzhgues, me SPAK flasim me raporte

Nga Ervin Koçi
2 Prill 2025, 15:53 | Politikë

ODIHR ka nisur monitorimin e procesit zgjedhor të parlamentareve të 11 majit. Ambasadori Lamberto Zannieri deklaroi se misioni do të shtrihet në 12 qarqet e vendit, duke nënvizuar se ODIHR ka detyrë vëzhgimi e jo arbitrin e zgjedhjeve parlamentare.

Procesi zgjedhor i11 majit është futur zyrtarisht nën lupën e OSBE ODIHR. Drejtuesi i misionit të monitorimit, ambasadori Lamberto Zanieri doli përpara gazetarëve duke nënvizuar se 326 vëzhgues do të shtrihen në të gjithë vendin për të hedhur në letër çdo gjetje të tyre.

Por përballë pyetjes nëse këto gjetje do t’i adresojë edhe në SPAK, kreu i misionit u kujdestë nënvizonte se ODIHR është vëzhgues e jo arbitër. 

“Ne nuk jemi këtu si mision për të kryer funksione apo detyra të tjera, sigurisht që jemi shumë të angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet në vend, por gjetjet tona, të parregullsive zgjedhore gjatë misionit, do të përfshihen dhe do të ndahen me autoritetet përmes raporteve tona”, tha Lamberto Zannieri.

Akuzat politike për abuzim në procesin elektoral të 11 majit kanë filluar të kumbojnë, akuza të cilat duket se kanë rritur edhe vigjilencën e ODIHR.

“Detyra ime nuk është të jap këshilla apo apele partisë në pushtet apo partive në përgjithësi. Puna jonë është që përmes vëzhgimit dhe raportimit të frenojmë fenomene të tilla që në të shkuarën i kemi parë dhe i kemi raportuar. Nëse do të shohim çështje të tilla si shpërdorimi i aseteve publike, apo shitblerja e votave, nëse do të ketë indicie të tyre, do të flasim, do t’i shprehim ato.  Shpresojmë që vëmendja që ne do t’i kushtojmë të gjitha këtyre fenomeneve të shkurajojmë iniciativa të tilla”, theksoi Zannieri.

Ndryshe nga proceset e shkuara elektorale, ODIHR këtë herë duhet të monitorojë edhe votimin nga jashtë.

“Po, do t’i kushtojmë vëmendje mënyrës se si menaxhohen fletët e votimit që në aeroport. Do të përpiqemi të jemi fizikisht që në aeroport, për të parë se si menaxhohet, deri në momentin që vota numërohet dhe raportohet në komisionin përkatës. ne do t’i kushtojmë vëmendje për të pasur transparencë të këtij procesi”, vijoi Zannieri.

Krahas 326 vëzhguesve të ODIHR, misionit të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare do t’i bashkëngjitet edhe grupet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe selitë diplomatike të akredituara në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos