Akuzave për blerjeve të votave demokratët këtë të hënë i bashkëngjitën edhe një video që sipas tyre vërteton se zyrtarë të ndryshëm të Partisë Socialiste u kanë dhënë para qytetarëve në këmbim të votës.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa publikoi këtë video që sipas tij është xhiruar në Babrru të Tiranës, pohoi se të gjithë personat që shihen janë identifikuar si eksponentë të partisë në pushtet, por nuk tregoi asnjë emër të tyre.
“Paraqesim para medieve, para shqiptarëve dhe para komunitetit ndërkombëtar, fakte të pakundërshtueshme të farsës që delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Ishte shumë demonstrues ky rast sepse është shumë e rrallë të kapësh ndarjen e parave. Po ja që është evident”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.
Pas vendimit të KAS për hapjen e kutive të votimit në tre qarqe, Berisha përsëriti thirrjen e tij për kandidatët se çdokush që ka pretendime të kërkojë transparencën. “Çdo njeri që ka dyshim për numërimin e votave në komisionet e numërimit le të kërkojë rinumërim dhe kjo pa asnjë lloj dyshimi se ky rezultat mund të jetë ky apo ai por vetëm se gjykoj se transparenca është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur çdo dyshimi që tjetri ka. Asnjë lloj tendence nuk kam unë në këtë proces”.
I pyetur nëse do të kërkojnë ndëshkime të numëruesve që kanë tjetërsuar votat, kreu i PD pohoi se çdo rast do të vlerësohet duke mos përjashtuar paditë kundër tyre.
“Qëndrimet do mbahen. Sigurisht do vlerësohen sipas rastit. Nuk ka diskutim që do mbahet çdo qëndrim ligjor që i takon një force që i përmbahet shtetit ligjor. A do shkojnë apo jo në Skap, atë nuk mund të them se do vendosin ata... kjo është bërë mbi bazën e kërkesave individuale të kandidatëve”, tha ai.
Kreu i opozitës premtoi vijimin e betejës për denoncimin e asaj që e quan farsë zgjedhore, ku pohoi se në ditët në vijim do të paraqesë prova të reja për çdo akuza të bërë prej tyre. (A2 Televizion)