Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, u pyet nëse do të ishte dakord me një grevë urie brenda Parlamentit si pjesë e strategjisë së opozitës.
Përgjigjja e tij ishte e tillë: “Unë mendoj që ne duhet të provojmë gjithçka. Nuk duhet përjashtuar asgjë. Thjesht, duhet ta mendojmë mirë çdo akt që do të ndërmarrim dhe duhet të bëjmë plane afatgjatë për aksionin tonë politik. Mendoj që thelbësore në këtë kohë është informimi i ndërkombëtarëve për krimin elektoral të Edi Ramës dhe lidhjet që ka ai me krimin e organizuar”.
“Ka një dezinformim nëpërmjet disa kulisave të PS që vetëm gjezdisin nëpër botë për të dezinformuar aleatët e vendit tonë. Kjo qasje duhet kombinuar edhe me aksione të tjera”, deklaroi Balliu.
Kur u pyet se çfarë do të ndodhë gjatë verës, Balliu tha: “Ne kemi bërë protesta gjatë verës, por nuk është misioni i opozitës vetëm të bëjë protesta. Opozita nuk do bëjë dot asgjë nëse shoqëria nuk mbështet një plan për të sjellë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të bëjë çfarë të dojë opozita. Demokracitë lindin nga revolta qytetare në çdo vend”. (A2 Televizion)