“Edi Rama është një autokrat duhet rrëzuar dhe ata që do ta rrëzojnë, do të jenë forca Delta e qytetarëve shqiptarë dhe PD-së”. Këtë mesazh përcolli deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi në fjalën e tij në foltoren e radhës së partisë Demokratike para Kryeministrisë. Sipas tij kjo foltore është për të mbrojtur të vërtetat e shqiptarëve, ndërsa theksoi se 46% e tyre janë në rrezik varfërie e përjashtimi social.
“Jemi këtu për të mbrojtur të vërtetat tona se janë të qytetarëve që ndjejnë t’u ngulet thika e mjerimit çdo ditë e më thellë nga kjo qeverisje. 46% e tyre janë në rrezik varfërie e përjashtimi social, të atyre që mbajnë mbi supe peshën e korrupsionit. Është e vërteta e atyre qytetarëve që shohin talljen që u bën Rama me shpurën e tij me lëmoshë e lugë bosh, me pensione qesharake, me satelit orbital dhe parlament banal”, the Boçi, raporton A2 CNN.
Boçi theksoi se shqiptarët degdisën fëmijët në emigrim, ndërsa sot Rama do t’u shkatërrojë e përdhosë familjen.
“Është e vërteta e atyre qytetarëve që e kanë kuptuar që u degdisën fëmijët e të arfërmit dhe sot duan t’i shkatërrojnë familjen duke përdhosur nënën e babain, vajzën e djalin, motrën e vëllain”, u shpreh Boçi shkruan A2 CNN.
Sipas tij Rama ka ndërtuar mbretërinë e së keqes si parajsën e vet, duke jetuar në luks të shfrenuar. Ndërsa PD thekson ai ka dhënë kontribut në të mirën e përbashkët.
“Ai dhe shpura e tij hedhin vallen e vdekjes mbi fatet e shqiptarëve dhe vetë notojnë në luks të shfrenuar. Të vërtetat tona janë të Berishës që i mbrojti e përballoi me durim, vullnet e qëndresë. Janë të vërtetat e PD-së, e cila me gjithë gabimet e vogla në qeverisje mbetet forca politike më e sinqertë që ka dhënë kontributin më të madh në atë që e quajmë e mira e përbashkët. Të vërtetat tona janë pjesë e aleatëve”, theksoi deputeti dmeokrat, raporton A2 CNN.
“Asnjë pushtet nuk ka qenë më shumë pushtues e kaq i paburrë sa ky kryeministër”, vijon deputeti demokrat, “i cili sa herë kapet gafil shet një shok e bashkëpunëtor ndërsa sot ka dalë hapur në mbrojtje të Ballukut, Agasit e Mirlindës duke dëshmuar që korrupsioni nuk është rastësi, por është sistem dhe në krye të tij është Rama. Bota ka pasur Republikë Bananesh, po duken më dinjitoze se e krimit dhe e korrupsionit, ku kryeministri merr në mbrojtje zv.kryeministren e kapur në korrupsion”.
(A2 Televizion)