Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin e tij me diasporën në Milano, theksoi se programi i demokratëve parashikon edhe "pastrimin e shtëpisë".
"Programi ynë ka edhe një shtyllë tjetër, një premtim tjetër: pastrimin e shtëpisë. Shtëpia do pastrohet! E kam thënë edhe njëherë, po ua shpjegoj, dhe e them prapë. Im atë ka qenë besimtar. Falej, i lutej Zotit dhe unë e respektoja shumë. Aty, nga vitet ’70, ai filloi të mos falej më. Nuk falej, dhe kishte hall se po më prish punë mua. I them: Bab’, unë dëshiroj të të shoh duke u falur, duke u lutur. Jo, më thotë bir, nuk falem se në këtë mjedis të tillë, as Zoti vetë nuk të dëgjon. Më vonë lexova në libra të shenjtë, çfarë thonë. Librat e shenjtë shkruajnë: që Zoti të hyjë në shtëpinë tënde, pastroje përpara shtëpinë. Po, shtëpinë e kanë në dorë hajdutërit më të mëdhenj të kohërave. Shtëpinë e ka në dorë, sot kryeministër është Toto Rino, kryeministri i Shqipërisë është një Eskobar, një Toto Rino", deklaroi Berisha, shkruan A2.
"Sot, prona, buxheti plaçkiten mbi 24 orë. Sot, kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë, pastrimi i shtëpisë është shtyllë kryesore. Ju jap ju fjalën e nderit se, ligji do veprojë me forcën më të madhe. Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special. Mbyllja e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit. Dhe do t’u lutem shumë t’ia thoni këtë çdo miku italian që njihni. Se e bëj këtë, edhe për shqiptarët, por për italianët. Sepse, për qytetarët italianë Xhorxh Soros është, që nga Roma e lashtë e gjer sot, hajduti më i madh i kursimeve të tyre. Po, po. 20 miliardë ka vjedhur në një bixhoz. Do i nxjerrim të gjitha, ndaj dhe ligji anti-Soros do të jetë ligji i pastrimit të shtëpisë", shtoi Berisha. (A2 Televizion)