“Tani e ka radhën Rama!” Kryeministri përgjigjet nga Athina: Të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë

Nga A2 CNN
2 Mars 2025, 13:08 | Politikë

Ne jemi shumë të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë. Është ky premtimi që bëri nga Athina kryeministri Edi Rama në takimin me emigrantët në panairin ndërkombëtar të punës.

Në përgjigje të deklaratave se ai duhet të largohet nga qeveria, sepse i ka ministrat në burg, Rama tha se për herë të parë në histori ata që janë të lidhur me pushtetin nuk janë të paprekshëm dhe për këtë duhet të ndihet kryelartë.

“Duhet të ikë Rama se i hynë të gjithë ministrat në burg dhe tani e ka radhën Rama. Ajo që ka rëndësi që ta ndaj me ju është që pikërisht që për atë që ata thonë se unë dhe ne duhet të ulim kokën ne duhet të jemi kryelartë se për herë të parë në histori që nga 1912 ata që janë të lidhur me pushtetin nuk janë të paprekshëm për herë të parë që nga 1912 pushteti ynë dorëzoi shpatën e ndëshkimit te një pushtet tjetër. Deri kur ne morëm detyrën dhe nuk e morëm për të ngrohur vezë por për ta bërë Shqipërinë anëtare të be shpata e ndëshkimeve ishte në dorën e pushteteve”.

Rama ripërsëriti se i ka vënë në dispozicion “organizmin qeverisës” drejtësisë dhe shprehu vendosmërinë për të mos e prekur pavarësinë e gjyqësorit. Ai tha se ka marrë misionin të udhëheqë Shqipërinë drejt BE-së, jo për të gjetur vende pune.

“Sot kjo ka ndryshuar se ne kemi dorëzuar shpatën te pushteti i drejtësisë dhe kemi vënë në dispozicion dhe organizmin tonë për çdo rast kur drejtësia sheh për të ndërhyrë të heqë një tumor. Vetëm kështu mund të luftojmë korrupsionin seriozisht dhe mund të bëhemi të barabartë me ata që na shohin pak fare nga distanca dhe janë në tryezën e BE. Drejtësia në Shqipëri nuk ka traditë pavarësie dhe kjo do kohën e vet. Ne jemi shumë të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë. Ne jemi shumë të vendosur të durojmë dhimbjet e padrejta se kemi marrë misionin të udhëheqim Shqipërinë jo për të gjetur vende pune. Puna jonë nuk është punë si gjithë të tjerat, por është një mision”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos