Berisha teston aleatët! Replikat në selinë blu, nga bojkoti te protestat për reformën

Nga Anesti Barjamemaj
3 Tetor 2026, 14:06 | Politikë

Sali Berisha mblodhi aleatët politikë për të diskutuar reagimin ndaj Reformës Territoriale, me propozime që varionin nga protestat kombëtare deri te bojkoti i zgjedhjeve. Pas takimit, Berisha nuk bëri të ditur një vendim konkret, por theksoi protestën si rrugën kryesore të opozitës ndaj mazhorancës.

Në prag të votimit të Reformës Territoriale dhe zgjedhjeve lokale, Sali Berisha mblodhi në seli 15 aleatë të tij për të bërë testin e parë.

Qëllimin e tregoi që në fjalën hyrëse, duke pohuar se kërkonte mendimin e bashkëpunëtorëve për reagimin ndaj mazhorancës nëse nuk tërhiqet nga projekti për të shkrirë 15 bashki.

“Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme”, deklaroi Berisha.

Aleatët e Berishës propozuan nga protesta deri në bojkot të zgjedhjeve.

“Ka nevojë për një gjallërim jo vetëm të ripërtëritjes së PD, por ripërtëritje të të gjithë koalicionit”, deklaroi Fatmir Mediu, kreu i PR.

“Propozimi im është që të thërrasim një protestë kombëtare, të gjithë shqiptarët të jenë në Tiranë”, tha Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i PL.

“Po shumë dakord”, tha Berisha.

“Mendoj që të mos marrin fare pjesë në zgjedhje, nëse këta vazhdojnë me imponim, pse çfarë u bë ai?”, deklaroi Arjan Starova, kreu i BLD.

Nard Ndoka ishte kritik ndaj Berishës edhe pse të dy ranë në një mendje për të mos pranuar bojkotin

“Opozita ka përgjegjësinë politike, duke i thënë padrinos se ne të bllokojmë. Kjo nuk është hajde të thërrasim një protestë kot”, u shpreh kreu i PDK, Nard Ndoka.

“Braktisja e institucioneve është në interes të diktaturës”, tha Berisha.

“Unë them ta bllokojmë jo ta braktisim”, tha Ndoka.

“Se si mund të bllokohet me 83 mandate, nuk e di”, vijoi kryedemokrati.

Sali Berisha pasi dëgjoi të gjithë aleatët, nuk tregoi vendimin as në takimin me dyer të hapura dhe as pas largimit të kamerave, por përsëriti thirrjen se duhet që të zhvillohen protesta pa një datë se kur.

“Rruga e vetme është protesta për largimin e tij”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos