Sali Berisha deklaroi nga Roma se ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i është ndaluar futja në godinat federale amerikane, pas marrjes së detyrës nga administrata Trump.
“Miq, e keni marrë vesh lajmin, mbrëmë presidenti Donald Trump i ka ndaluar kukullës së Sorosit, Antony Blinken-it të futet në çdo ndërtesë federative. STOP! I pabesë. Organizoi kurthe, letra dhe gjëra të tjera për të mashtruar kombin e tij amerikan. Detyrën që mori si Sekretar i Shtetit më të madh, përfundoi në sekretar shteti të Soros-it. Sekretar i George Soros-it. E përshëndesim këtë vendim”, tha Berisha në një takim me Diasporën në Romë, shkruan A2 CNN.
Ai tha se Shqipëria rrezikohej nga ekstremizmi i majtë, ashtu si edhe SHBA, rrezik që u ndërpre nga Presidenti Donald Trump.
“Në Shqipëri, filloi beteja kundër familjes. Në Shqipëri, filloi numeritimi i prindërve. Në Shqipëri, Edi Rama, i frymëzuar nga mostra e njerëzimit, George Soros, solli në parlament ligjin për të krijuar fermat e grave, për të lindur fëmijët e askujt. Ju mund t’u duken habi, por këto janë realitet në Shqipëri. Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në kopshtin e George Soros-it, armikut të egër jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe të njerëzimit”, tha Berisha.
“Miq, ekstremi i majtë në SHBA ishte rreziku më i madh pas Luftës së Dytë Botërore që iu kanos njerëzimit. Se ky ekstrem po marshonte me flamurin dhe fuqinë e vendit të madh të lirisë. Filloi të lavdërohej censura. Por çdo njeri i lirë e ka të qartë se aty ky fillon censura, aty fillon diktatura. Dhe unë jam gëzuar shumë kur në një nga aktet e para, Donald Trump dënoi dhe ndaloi censurën. Censura atje do të thoshte terr për këdo. Pra, kjo ishte mrekullia e fitores së Donald Trump. Dekretoi dy gjini. Dhe unë u jap fjalën ju se desorosifikimi i Shqipërisë është një nga prioritetet tona më të mëdha”.
2021, Blinken: Veprat e Berishës, minim i demokracisë në Shqipëri
Në maj të vitit 2021, Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” nga SHBA. Në një mesazh në “Twitter”, tashmë ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkruante se Berisha dhe familja e tij ishin shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohej hyrja në vend.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante Sekretari Amerikan i Shtetit.
Me ardhjen në pushtet të Donald Trump, demokratët janë të bindur që vendimi do të shfuqizohet.
Trump shfuqizon lejet e sigurisë për Blinken, i heq Biden-it qasjen në informacionet e klasifikuara
Ish-presidenti Donald Trump ka revokuar lejet e sigurisë për ish-sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, dhe ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë. Ky veprim vjen një ditë pasi Trump hoqi qasjen në informacione të klasifikuara për paraardhësin e tij, Joe Biden.
Trump gjithashtu ka revokuar lejet e sigurisë për Lisa Monaco, zëvendësprokurore e Përgjithshme në administratën Biden, si dhe për prokurorët Letitia James dhe Alvin Bragg, të cilët drejtuan çështje kundër Trump-it. Këto lëvizje shënojnë përshkallëzimin e tensioneve në Uashington, edhe pse nuk kanë ndikim të menjëhershëm.
Në vitin 2021, Biden kishte revokuar lejen e sigurisë për Trump. Së fundmi, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hoqi mbrojtjen personale dhe lejen e sigurisë për gjeneralin Mark Milley, një kritik i Trump-it. Ky zhvillim thekson përçarjet mes administratave dhe ndikimin e tyre në politikën e sigurisë kombëtare. (A2 Televizion)