Ish-deputeti Lefter Maliqi i është përgjigjur në A2 CNN propozimit të Dashnor Sulës, i cili deklaroi se vetëm Sali Berisha mund të fitojë bashkinë e Tiranës përballë Ogerta Manastirliut. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai theksoi se Berisha është një personalitet dhe atij i shkon vetëm kostumi i kryeministrit, ndërsa shton se pa pushtetin lokal, nuk mund të fitosh pushtetin qendror.
“Dash Sula nuk besoj që t’i pëlqejë roli i aktorit. Vërtet mund të ketë bërë gabime PD me Sulën por këto ide që hedh në media po ua them prerë saktë; Berisha është personalitet. Kostumi i Berishës është ai i kryeministrit dhe ka një mision për të rrëzuar Ramën dhe do ta çojë deri në fund. Dhe ta dinë shqiptarët në këtë gjendje që është PD dhe opozita e bashkuar, pavarësisht gabimeve që kemi ne duhet t’u themi shqiptarëve që nuk kemi bërë zgjedhje lokale në 2019 dhe 2023. Pa pushtet lokal nuk mund të fitosh pushtetin qendror”, u shpreh Maliqi në A2 CNN.
Parimisht ai shprehet se në Tiranë mund t’i fitojë zgjedhjet çdo kandidat i PD-së, pasi sipas Maliqit kryeministri e qeveria janë kalbur politikisht nga krimi e betoni.
“Në Tiranë është e lehtë për t’u fituar bashkia se Rama është kalbur politikisht nga skandalet e krimet, qeveria de facto e ka mbuluar krimi. Tirana është betonizuar parqet mungojë. Kështu që çdo kandidat i PD që caktohet përballë ministres së Covidit. Unë mendoj që Berisha ka pjekurinë politike shumë të madhe dhe Berisha dyshon që do të bëhen zgjedhjet dhe pret kur të marrin formë të prerë zgjedhjet”, tha Maliqi në A2 CNN.
Më herët në Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN ish-deputeti Dashnor Sula propozoi emrin e Sali Berishës si kandidatin e vetëm që mund të fitojë zgjedhjet në bashkinë e Tiranës.
(A2 Televizion)