Ish-deputeti Lefter Maliqi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi me bindje se nëse kandidon për Bashkinë e Beratit, e ka të sigurt fitoren.
“Nëse unë kandidoj sot në Berat, e fitoj Bashkinë e Beratit, të jeni të bindur. Pavarësisht se unë nuk heq dorë nga Bashkia e Kuçovës”, deklaroi Maliqi.
“Unë do të jem drejtues vendor i ardhshëm në Qarkun e Beratit dhe nuk ka forcë që më ndalon. Edhe kësaj radhe që dola nga listat e hapura, që pretendoja të isha në listë të mbyllur në bazë të rezultateve që kisha, mora 5222 vota në një qark të vogël, me 7 mandate”, shtoi ish-deputeti demokrat.
Sipas tij, opozita duhet të punojë fort në bazë: “Ngul këmbë se duhet punë e madhe në bazë, duhet rifreskim. Kam thënë që duhet të ikin drejtuesit politikë që janë humbës, pavarësisht masakrës elektorale. Për shembull, mandatin e tretë në Berat nuk e kam humbur unë, por u humb nga drejtimi politik në Qarkun e Beratit. 3 mandate ishin të sigurta, nuk u punua siç duhet dhe nuk u morën. Pa masakër elektorale do merrnim 4 mandate, me masakër ishin të sigurta 3”. (A2 Televizion)