Ermal Hasimja, një nga kandidatët e mundshëm të përfolur nga opozita për Bashkinë e Tiranës në një intervistë me Pandi Gjatën në A2 CNN tregoi si e priti propozimin për betejën e kryeqytetit, reagimet dhe këshillat e miqve. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar emri i tij për kandidat, Hasimja tha në A2 CNN se ajo që e ka nxitur për të marrë seriozisht këtë propozim, kanë qenë reagimet e shumta të miqve të njohur e të panjohur, pavarësisht prirjes së tij.
“Kam marrë një lloj konfirmimi që emrat janë propozuar dhe po diskutohet në forumet përkatëse dhe kjo është gjendja për momentin. Kam patur gjithmonë një prirje gjatë këtyre viteve, por nuk kam ndjerë kushtet e përshtatshme. Nuk kam patur shumë kohë të mendohem e reflektoj për atë që po ndodh. Ajo që më ka nxitur që ta marr seriozisht këtë gjë është reagimi pafund i miqve të njohur e të panjohur që më kanë komunikuar mbështetjen e gatishmërinë për t’u angazhuar, përfshirë edhe shumë njerëz të medias. Dhe kjo ishte një lloj nxitje e inkurajimi”.
Krahas atyre që e kanë mbështetur ai thotë në A2 CNN se ka patur edhe nga ata që e kanë këshilluar për vështirësinë e kësaj sipërmarrjeje politike.
“Ka edhe plot nga ata që kanë qenë në pozita të ngjashme me mua apo që do të donin të ishin, që kanë ambicie e dëshirë, por kanë atë merakun se politika të bën pis, por ka nga ata që shprehin vështirësitë e kësaj sipërmarrjeje. Prandaj është e nevojshme të ketë qartësi më të madhe për mua e për këdo që do t’i propozohej kjo lloj sipërmarrjeje”.
Duke pranuar vështirësitë për shkak të kohës së shkurtër dhe përballë një mazhorance, për të cilën thotë se ka ndërtuar një sistem patronazhist dhe klientelist, Hasimja thekson se diferencën e bën kandidati, teksa shton se opozita ka shanse reale.
“Koha e shkurtër është sipërmarrje e vështirë për këdo, por dikush duhet ta bëjë. Këto nuk i ndryshon dot por e vetmja gjë që është në dorë të kandidati është integriteti, bagazhi që ka dhe aftësia për të bërë fushatë. Askush nuk ka vendosur gjë as ata që vendosin, as unë, që do them fjalën përfundimtare. Është e vështirë jo vetëm për kohën e shkurtër, por se shumica ka ndërtuar një sistem patronazhimi e klientelist që është e vështirë t’i mposhtësh dhe mund të gjendesh te paradoksi që njerëzit të pëlqejnë, por votojnë aty ku kanë detyrimin apo ku duan të ruajnë vendin e punës. Vështirësitë janë, por nga ana tjetër konstaton se opozita nëse bëhet bashkë e vetmja gjë që e dallon fitoren nga humbja është kapaciteti i kandidatit për të tërhequr kandidatin gri. Ky është variabli i ekuacionit që duhet të përcaktohet. mendoj që ka shanse reale”.
(A2 Televizion)