Një ditë pas votimit në seancë plenare, ministrat e rinj të kabinetit Rama u betuan para Kreut të Shtetit. Pirro Vengu, Ervin Hoxha, Petrit Malaj dhe Taulant Balla mbërritën në Presidencë shoqëruar nga kryeparlamentarja e re Elisa Spiropali, ndërsa qeveria përfaqësohej nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe sekretari i përgjithshëm Engjëll Agaçi. Në ceremoninë zyrtare ku u lejua edhe prezenca e mediave, Presidenti Begaj u kujdes të shfaqte aftësitë mikpritëse, teksa sajdisi të ftuarit me trokitje gotash përpara kamerave.
Përpara se sa të futeshin në zyrë, ministrat e rinj të kabinetit Rama duhet të betoheshin para Presidentit të Republikës. Paraditen e të mërkurës Pirro Vëngu, Ervin Hoxha, Petrit Malaj dhe Taulant Balla vunë dorën në kushtetutë duke u betuar se do të respektojnë ligjet e vendit. Efekt Betohem Ceremonia nuk u ndal vetëm në aspektin formal protokollar.
Presidenti Begaj u kujdes të shfaqë të gjithë ëmbëlsinë që thotë se e karakterizon dhe si i zoti i shtëpisë, trokiti gotat me të ftuarit e tij, për t’i uruar për detyrat e reja që bëhen gati të nisin. As me kamerat nuk u tregua i hidhur, duke lejuar prezencën e tyre, teksa shkëmbente biseda informale me miqtë e Kuvendit dhe Qeverisë, pas konfirmimit që deputetët socialistë u kishin dhënë përmes votimit në Parlament.
Analizat e votave në seancë plenare nxjerrin në pah disa anomali. Gjatë procesit të votimit të ministrave, vihej rese rreshti ku ulet Gazment Bardhi skuqej nga votat kundër, ndërkohë që deputetët nuk ishin aty fizikisht. Deputetja Ori Nebiaj kishte marrë përsipër të votonte edhe në emër të kolegëve të tjerë demokratë duke shkelur edhe vetë rregulloren e Kuvendit.
Kodi i Sjelljes së Deputetëve: Gjatë votimit në Kuvend dhe në komisione, deputeti ndalohet të votojë në emër të një kolegu tjetër, i cili nuk është i pranishëm në sallë. Votimi për të tretët konsiderohet shkelje e rëndë e Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe e Rregullores së Kuvendit.
Kodi i sjelljes së deputetëve
Përtej rregullores, manipulimi i një votimi parlamentar kthehet në paradoks kur si pjesë e opozitës, denoncon mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve.
Në kaosin e krijuar, në sy ra edhe neglizhenca e kryeministrit Rama dhe zëvendëskryeministres Balluku për të mos votuar kryetaren e re te kuvendit. Kjo bëri që Elisa Spiropali të merrte 75 vota pro nga 77 që morën ministrat.
Pavarësisht kësaj, dëshira e Edi Ramës për të ndryshuar qeverinë u plotësua, dhe ministrat e rinj janë zyrtarisht në detyrë, ndërsa Elisa Spiropali ka gushtin para për t’u bërë gati për drejtimin e seancave plenare që rikthehen në 2 shtator. (A2 Televizion)