Bllokuan rrugën e aeroportit, Rama: Përfituesit e kësaj proteste janë vetëm qeveria dhe PS

Nga Fjorela Beleshi
15 Qershor 2026, 14:58 | Politikë

Protestuesit që shkuan deri në Rinas, kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si një turmë që po degradohet nga mendje të liga, pa përmendur ndonjë emër të veçantë. Sipas tij, bllokimi i njerëzve gjatë natës është një veprim ekstremist që frymëzon bullizimin online.

“Keqardhje për të rejat dhe të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit, me shijen e lirisë dhe të pavarësisë së tyre, dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke u shkuar pas skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda e jashtë vendit, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqija që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Rama mendon se përfituesit e kësaj proteste nuk do të jenë qytetarët apo influencerët që kërkojnë largimin e tij nga posti i kryeministrit.

“Nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy: Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese, dhe Partia Socialiste, e cila, kur të shpërndahet mjegulla, do t'i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë”, tha Rama.

Nëse protestat ndikojnë realisht apo jo, faturën e mungesës së turistëve në vend, Edi Rama ua atribuon protestuesve.

“Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ dhe të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe të pasigurt për turistët. Anulimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht”, tha Rama.

Kjo qasje ndaj protestës është udhëzuar edhe për të gjithë grupin parlamentar të PS-së. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se deputetët e mazhorancës, në çdo dalje publike apo në rrjetet sociale, duhet të flasin ose të shkruajnë se si, sipas tyre, protesta po ndikon negativisht te turizmi.

Ndërsa për vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t'u larguar nga grupi parlamentar i PS-së, deputetët do të sqarohen sapo Taulant Balla të ketë mundësi të komunikojë me të. Socialistët duan të dinë pse "Neomalsorja" i braktisi në këtë moment. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos