Analisti Genc Burimi, duke komentuar Reformën Territoriale dhe ndryshimet e propozuara nga mazhoranca, argumenton se bashkitë që do të shkrihen do të humbasin kryetarin e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.
Duke folur përmes një lidhjeje Live në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Burimi tha se ndryshimi prek drejtpërdrejt të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur drejtuesin vendor.
Analisti ngre pikëpyetje edhe mbi argumentin se bashkitë më të mëdha do të jenë më efikase dhe do të kenë më shumë mundësi për të realizuar investime.
“Godina nuk zhduket, zhduket vetëm kryetari i bashkisë, dhe është një nënkryetar i emëruar nga bashkia fqinje që merr përgjegjësinë. Ju i hiqni zgjedhjen. Që mos të zgjidhet një kryetar, nëse godina dhe personeli qëndron. Kjo reformë konsiston në heqjen e zgjedhjes te kjo bashki që fshihet. Zgjedhja anulohet, nuk ka zgjedhje. Në 2014-ën zgjidhej në Belsh, kësaj here ka zgjedhje për në Elbasan. Më parë banorët zgjidhnin një kryetar bashkie të Belshit, tani do zgjedhin një kryetar bashkie të Elbasanit, që përfshin Belshin. A ia vlente barra qiranë?! Pse do jenë bashkitë me efiçente?! Nuk është argument që je bashki e vogël dhe s’bëni dot investime të mëdha, sepse i bën pushteti qendror. Nuk e shoh dot avantazhin e kësaj reforme”. (A2 Televizion)