“Shkoni si janë bërë fshatrat e Elbasanit”, Mila tregon si do t’i marrin shërbimet qytetarët me ndarjen e re territoriale

Nga A2 CNN
8 Tetor 2026, 21:31 | Politikë
 

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka shpjeguar se si do të ofrohen shërbimet për qytetarët pas zbatimit të ndarjes së re territoriale. E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Mila tha se ndryshimet nuk do të sjellin largimin e administratës apo të shërbimeve nga zonat që do të preken nga riorganizimi.

Duke marrë si shembull Belshin, Mila tha se qytetarët e kësaj bashkie nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë drejt Elbasanit për të marrë shërbimet, duke shtuar se do të ketë nënkryetarë të dedikuar për bashkitë që shkrihen.

 “Unë e shikoj te baza, rrugë, ujë dhe drita janë baza. Kur unë shikoj që edhe këto baza janë sot produkt i reformës së 2014-ës...Ka ende shumë për të bërë dhe prandaj po qeverisim. Administrata s’do ndryshojë pozicion, s’do kenë kryetar bashkie, por do të ketë një nënkryetar të dedikuar, dhe funksionet që sot i kryen Bashkia e Belshit, psh., absolutisht nuk rrëzohet asnjë nga ato. Qytetarët e Belshit s’do ketë nevojë të shkojë në Elbasan, pasi shërbimet do vazhdojë t’i marrë aty”, tha Mila.

“Çfarë nevoje ka PS që doli me një mandat aq të fort në maj të 2025-ën, dhe e kishte reformën territoriale 2.0 në programin e saj elektoral...Qytetarët kanë votuar një program që e kanë patur në pikën e parë reformën territoriale”, shtoi ajo.

Ndër të tjera deputetja vuri në dukje investimet në infrastrukturë nga mazhoranca socialiste, duke marrë si shembull fshatrat e Elbasanit, investime që sipas saj as kryebashkiakët s’i kishin menduar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos