Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shprehur se të moshuarit në Shqipëri janë në një situatë kritike, pasi sipas tij, duke përllogaritur edhe inflacionin, pensionet janë ulur që nga viti 2013.
Komentet Noka i bëri nga foltorja e Kuvendit, ku hodhi akuza të forta ndaj Qeverisë, që sipas tij, anëtarët e ekzekutivit ‘zhgërryhen në luksin e parave të vjedhura të qytetarëve’.
Ai tha gjithashtu se një pensionist merr për një muaj, aq sa një qen i zyrtarëve të PS-së ha për një vakt, shkruan A2 CNN.
“Ju jetoni sot në një varfëri, në kushte mbijetese, por derrat që zhgërryhen në arin e vjedhur prej jush dhe në luksin e parave, nuk duan t’ja dinë për ju. Nuk duan ta dijnë që ju jetoni në kushte mizerabël.
Sesa merr një pensionist shqiptar, një qen i ktyre ha për një vakt sa merr pensionisti për një muaj. Prandaj këta janë të pashpirtë dhe nuk duan t’ja dinë për ju. Jeni të pashpirt, jeni shpirtkazëm, jeni hajdutë dhe asgjë më shumë.
Instituti i Sigurimeve shoqërore që varet nga këta, thotë se vetëm 26 % janë rritur pensionet në këto 11 vite në Shqipëri, ndërsa inflacioni është rritur 34 %. Rezulton që 13 % janë ulur pensionet nga 2013 deri më sot”, tha Noka. (A2 Televizion)