COREPER miraton mbylljen e 3 kapitujve të negociatave me Shqipërinë

Nga A2 CNN
10 Korrik 2026, 18:16 | Politikë

COREPER miraton mbylljen e 3 kapitujve të negociatave me

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi sot Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Mbyllja zyrtare e këtyre tre kapitujve pritet të formalizohet në Konferencën Ndërqeveritare më 14 korrik në Bruksel, duke shënuar një tjetër hap përpara në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Njoftimi i plotë i Kryeministrisë

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi sot Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Ky vendim përfaqëson një vlerësim të qartë politik nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në reformat dhe transformimin europian dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit, si dhe konfirmon besimin në kapacitetin e vendit për të përmbushur me sukses kriteret për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe zhvillimin e aftësisë për të qenë anëtar i familjes europiane.

Miratimi nga COREPER afirmon rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra në vite, nivelin e avancuar të përafrimit me Acquis-in e Bashkimit Europian dhe angazhimin e palëkundur të institucioneve shqiptare dhe të gjithë aktorëve për avancimin e Agjendës Europiane Shqipëria 2030.

Ky vendim përbën një tjetër dëshmi se procesi i negociatave po ecën me ritëm të qëndrueshëm, të besueshëm dhe dinamik dhe se Shqipëria po konsolidon më tej pozicionine saj si një vend kandidat i përgatitur, për fazat e ardhshme të anëtarësimit dhe integrimit në Bashkimin Europian.

Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.

Këto janë njëherësh dëshmi për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për ndërtimin e ekonomisë konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.

Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.

Ne besojmë fort se investimi në arsim, dije e kulturë dhe rinia është investimi më i çmuar në të ardhmen e Europës dhe të Shqipërisë europiane, duke krijuar më shumë mundësi, inovacion dhe duke forcuar kohezionin social në shoqëritë tona.

Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.

Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut 2026 në Bruksel, shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Vendimi i sotëm i COREPER ka një rëndësi që shkon përtej mbylljes së negociatave për 3 kapitujt negociues. Ai përbën një sinjal të fortë politik të mbështetjes së Bashkimit Europian për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane dhe konfirmon se reformat, transformimi i institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë, mbi themele të konsoliduara të Shtetit të së Drejtës dhe konsensusi kombëtar që buron nga mbështetja më e madhe dhe e çmuar e qytetarëve shqiptar për aspiratën europiane, janë rruga e vërtetë drejt familjes europiane.

Shqipëria mbetet e vendosur të vijojë me të njëjtin angazhim, besueshmëri, reforma dhe punë e rezultate në fazën e përmbylljes së negociatave të anëtarësimit, duke çuar përpara reformat me vullnet dhe duke përmbushur të gjitha kriteret që mundësojnë realizimin e misionit historik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian dhe bashkimit të Shqipërisë me familjen europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos