Deputetët iu rikthyen debatit parlamentar pas një jave të gjelbër. Seanca e cila në fokus duhet të kishte problematikat e deputetëve në zonat e tyre elektorale, dëshmoi se aktualiteti i politikës prevalon mbi diskutimet lokale.
Gazment Bardhi doli me fjalim të shkruar në foltoren e Kuvendit, të cilin e kishte të bazuar në reportazhin e transmetuar në Rai 3, material i cili, sipas tij, reflektonte gjendjen e korrupsionit në Shqipëri si problematikët më të madhe të vendit.
“Prokurori i Antimafias në Napoli tha se mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga një shtet ku ka lulëzuar korrupsioni”, tha Bardhi.
Por më shumë se sa fjalët që kishte hedhur në letër Gazment Bardhi, në sy ra fjalimi i shkruar i Elisa Spiropalit, e cila mesa duket kishte parashikuar ekzaktësisht se çfarë do të thoshte kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Përplasja me fjalime të shkruara përfundoi kur në korin e debati u përfshi edhe Flamur Noka me Pandeli Majkon, të cilët e kthyen objektivin e diskutimeve te zhvillimet në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Përfundimi i debatit politik risolli në sallë diskutimet e hapura ndërmjet deputetëve sa i përket halleve që kishin dëgjuar gjatë takimeve me qytetarët. (A2 Televizion)