Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçi, akuzoi edhe këtë të hënë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn se është përgjegjës për inceneratorin e Tiranës. Teksa ka sjellë në vëmendje një kronologji të dokumenteve shtetërore për miratimin e koncesionit, Këlliçi i bëri thirrje prokurorit Vladimir Premçi që hetimit t’i shkojë deri në fund.
Sipas tij, Premçi ka dy rrugë: Ose të çojë Veliajn para ligjit, ose të rrëzojë hetimet e Altin Dumanit!
“Prej muajsh tashmë ju kemi bërë publike të dhëna, prova dhe fakte të pamohueshme, që vërtetojnë sekërkuesi, zbatuesi dhe përfituesi kryesor i inceneratorit të Tiranës është Erion Veliaj. Janë 3 momente kryesore që e faktojnë këtë gjë. Sipas dosjes së Altin Dumanit në rastin e hetimit të Arben Ahmetajt, për këtë projekt Erion Veliaj në janar të vitit 2016, i është drejtuar me shkresë zyrtare Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili në shkurt të vitit 2016 i përgjigjet se propozimi i dërguar duhet të qartësohet dhe të saktësohet sipas akteve ligjore në fuqi. Në mars të vitit 2016,Erion Veliaj i ridërgon të njëjtën kërkesë Arben Ahmetajt, tashmë i emëruar Ministër Financash. Ndryshe nga Shkëlqim Cani, ministri Financave Arben Ahmetaj është dhe më i drejtpërdrejtë në argumentet e tij kundër këtij propozimi të Erion Veliajt. Erion Veliaj, si pronar faktik i Inceneratorit të Tiranës, në mars të vitit 2017 firmosi miratimin e këtij koncesioni, në shkelje të Ligjit “Për vetqeverisjen vendore”, pa miratimin e Këshillit Bashkiak dhe pa miratimin e bashkive të qarkut Tiranë. Pas këtij momenti, duhet ta ritheksojmë se 130 milionë eurot që janë përfituar nga Inceneratori i Tiranës janë zhdukur dhe incenerator nuk ka. Prokurori i kësaj çështje Dritan Premçi ka dy rrugë. Ose të rrëzojë hetimet e Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani për të amnistuar Erion Veliajn, ose të zbatojë ligjin duke çuar pronarin faktik të inceneratorit Tiranë Erion Veliaj përpara drejtësisë. Rrugë tjetër nuk ka”, u shpreh Këlliçi. (A2 Televizion)