Vakancat në KLP e KLGJ, Balla në dorë të vetingut, Kuvendi mban në detyrë Llagamin

Nga Ervin Koçi
29 Prill 2024, 16:41 | Politikë

Drejtuesi i Këshillitë Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, vijon të përballet me procesin e vetingut në shkallën e dytë, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së.

Shkalla e parë e vetingut, vendosi përfundimin e gjykimit për Ballën, pa një vendim përfundimtar.

Komisioneri Publik kërkon që këtij vendimi, t’i shtohet edhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksionet e prokurorit, gjyqtarit apo anëtarit të KLP e KLGJ nga Alfred Balla, në 15 vitet në vijim.

Për këtë kërkesë, KPA do të shprehet më 21 maj, teksa mandati i Alfred Ballës në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka përfunduar dhjetorin e kaluar, por vijon të qëndrojë në detyrë për shkak se Kuvendi nuk ka plotësuar ende vakancat.

Ky nuk është i vetmi rast ku institucionet që qeverisin gjyqësorin dhe prokurorinë, përballen me vakanca në rradhët e veta. Në total, tre anëtarë nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe tre anëtarë nga KLP kanë përfunduar zyrtarisht mandatin kushtetues në fund të vitit të kaluar, por procedura e zëvendësimit ka bërë që ata të qëndrojnë në detyrë.

Konkretisht anëtarët nga radhët e avokatisë nga secili institucion, përkatësisht Tartar Bazaj dhe Nurihan Setit nga KLP dhe Alban Toro dhe Fatmira Luli nga KLGJ, janë pa mandat, së bashku me dy kryetarët e institucioneve, Alfred Balla dhe Naureda Llagami që janë në ato pozicione si propozim nga radhët e shoqërisë civile.

A2 u interesua pranë Kuvendit të Shqipërisë, institucion i cili është përgjegjës për plotësimin e këtyre vakancave.

Nga informacionet e marra, duket se brenda muajt maj në tavolinën e KLP-së dhe KLGJ-së mund të ulen anëtarët e rinj nga radhët e avokatisë, por diçka e tillë duket se nuk do të ndodh me ato të shoqërisë civile.

Burimet nga Kuvendi bënë me dije se procedura e verifikimit të kandidaturave do të kërkojë më shumë kohë, çka do të thotë se praktikisht, Naureda Lllagami do të vijojë të drejtojë institucionin edhe përtej mandatit të saj kushtetues. Ndërsa fati i Alfred Ballës do të caktohet nga shkalla e dytë e vetingut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos