Pasi dëgjuan me vëmendjen mesazhet e kryetarit Sali Berisha dhe larguan median nga salla e mbledhjes, anëtarët e Këshillit Kombëtar nisën debatet. Mesazhet përbashkuese të Berishës dhe kërkesa e tij për të qenë në front kundër Edi Ramës, duket se nuk u dëgjuan prej të gjithëve.
Burime i thanë A2 CNN se më i ashpër në qëndrime ishte ish-deputeti Mylsim Murrizi, i cili kërkoi llogari për listën e 12 drejtesve të qarqeve. Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Murrizi pohoi se nuk mund të pranonte që Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi të jenë drejtues në qarqe duke kujtuar dhe deklaratat e tyre gjatë kohës kur Partia Demokratike ishte e përçarë, që sulmet i drejtonin mbi Berishës.
Shqetësimet e shprehura në mbledhjen me dyer të mbyllura, Murrizi i adresoi edhe para mediave.
Ishte Flamur Noka ai që sqaroi Murrizin, duke i thënë se Gazment Bardhi kë bërë betejën më të fortë në Kuvend kundër Ramës, ndërsa Gjekmarkaj ka folur kundër arrestimit të Sali Berishës, në takime me ndërkombëtarët.
Debati për drejtuesit e qarqeve vijoi edhe nga anëtarë të tjerë të Këshillit Kombëtar, të cilët kërkuan që të deleguarit e kryetarit të garojnë në pjesën e hapur të listës për deputetë.
Siç mëson A2 CNN, Noka sqaroi edhe lëvizjen e Tomor Alizotit nga qarku i Beratit, duke thënë se ka qenë kërkesë e tij për t’iu bashkuar ekipit që do të punojë në Tiranë.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, kërkoi që beteja e 2025 të shihet si për jetë e vdekje dhe përsëriti thirrjen për bashkim kundër Ramës, raporton A2.
Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, kërkoi punë intensive të terren për të afruar të gjithë të larguarit nga Partia Demokratike dhe mbështesin ende Lulzim Bashën. (A2 Televizion)