Debati për listat, Begaj bekon marrëveshjen PS-PD, firmos dekretin me Kodin Zgjedhor

Nga Ervin Koçi
30 Korrik 2024, 14:29 | Politikë

Presidenti Bajram Begaj bekoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Katër ditë pas votimit në parlament, kreu i shtetit dha dakordësinë duke firmosur dekretin presidencial, duke i hapur rrugë zbatimit të dispozitave të reja sa i përket listave të kandidatëve për deputetë dhe votimit nga jashtë.

Kompromisi politik ndërmjet socialistëve dhe demokratëve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka gjetur edhe dakordësinë e Presidentit Bajram Begaj. Kreu i shtetit bekoi marrëveshjen e negociuar nga njerëzit e besuar të Edi Ramës dhe Sali Berishës, që u miratua mëpas nga deputetët përkatës. Ai hodhi firmën mbi dekretin duke i dhënë fuqinë ligjore neneve të reja të ligjit zgjedhor.

Ky ligj, që mori mbështetje të gjerë parlamentare, është fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor. Bashkëpunimi parlamentar, si dhe përgjegjshmëria dhe respekti ndaj parimit të kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor janë vlera politike dhe ligjore të një sistemi të mirëfilltë demokratik, të cilat meritojnë të kultivohen e të shumëfishohen në praktikën institucionale shqiptare.

Presidenti Bajram Begaj

Miratimi i aktit u shoqërua me debate në parlament, sidomos sa i përket çështjes së ndarjes së listave të kandidatëve për deputetë, në 1/3 të mbyllur dhe 2/3 të hapur. Për Presidentin, është Kushtetuta që nuk lë vend për diskutim. 

Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.

Presidenti Bajram Begaj

Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta. Tashmë me dekretin e Begajt i hapet rrugë botimit të aktit në fletoren zyrtare që do të thotë edhe nisja e punës për KQZ për implantimin e votës së diasporës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos