Sali Berisha iu rikthye akuzave për pronat e familjarëve të Kryeministri Edi Rama në Vuno të Himarës.
Në një deklaratë për mediat nga banesa e tij, ku po vuan masën e sigurisë së vendosur nga Gjykata e Posaçme, Berisha i cilësoi mashtrime të gjitha shpjegimet e Ramës për pronat e trashëguara në Vuno.
Lideri demokrat i rendit disa pyetje kundërshtarit të tij, ku kërkon publikimin e dokumenteve që vërtetojnë pronësinë e trojeve.
“A keni deklaruar ju Edvin Gjipea më datën 24 maj të vitit 2024, po citoj se: ‘unë dhe e ndjera nëna ime nuk kemi kërkuar kurrë një metër katror tokë’?. A është nëna jote Aneta Rama Koleka, së bashku me Kolekë të tjerë, palë në gjyq me shtetin që ka kërkuar 224 mijë metër katror tokë në Gjipe? Në rast se po, pse mashtrove publikisht me datë 24 maj?”
Berisha pretendon se për pronat e familjarëve të Ramës nuk ekziston asnjë dokument për të vërtetuar se ato troje janë të tyre dhe shton se nuk kanë asnjë dokument që të vërtetojë se regjimi komunist i Enver Hoxhës, e konfiskoi apo shpronësoi.
“Si ka mundësi që këto 224 mijë metër në Gjipe nuk ekzistonin të regjistruara në kadastrën e kohës së mbretërisë, kohës së pushtimit dhe as kohës së komunizmit, nga pronarët që shfaqen sot? Shtoj këtu se familja e gjyshit tuaj, Petro Koleka, ka pasur ministër të Enver Hoxhës, pordhe vetë gjyshi yt Petro Koleka nuk ishte pa shkollë?”
Lideri i PD tha se pret përgjigje nga Edi Rama dhe nëse nuk e merr atë do të vijojë të kërkojë shpjegime deri sa të zbardhet, sipas tij, e vërteta e 224 mijë metër katror tokë që pretendohen të merren nga Edi Rama dhe familjarët tij.
Vetë Edi Rama i qëndron asaj që ka thënë se pak kohë më parë se nuk ka asnjë interes për pronat e familjes së tij nga nëna, përveç studios së të atit në Tiranë. (A2 Televizion)