Demiraj: Të merret seriozisht paralajmërimi i SHBA

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 20:32 | Politikë

Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm, në një lidhje direkte me “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se paralajmërimi i Ambasadës Amerikane “duhet të merret shumë seriozisht jo vetëm nga institucionet e sigurisë, mbrojtjes, inteligjencës së Republikës së Shqipërisë, por edhe nga kryeministri dhe qeveria”.

“Padiskutim që është një zhvillim shumë i rëndësishëm i cili reflekton një punë të gjatë, të vazhdueshme konsistente të agjencive të inteligjencës amerikane të cilat monitorojnë në Shqipëri, në Ballkan, në Europë, të gjitha rreziqet dhe kërcënimet. Për rrjedhojë, një paralajmërim i tillë, unë mendoj që duhet të merret shumë seriozisht jo vetëm nga institucionet e sigurisë, mbrojtjes, inteligjencës së Republikës së Shqipërisë, por nga kryeministri dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë”, tha kolonel Demiraj.

“Unë mendoj që ky është një paralajmërim i cili reflekton një vlerësim konkret i cili lidhet me aktivitetet e agjencive të inteligjencës, por në mënyrë të veçantë me individë apo grupe të veçanta të lidhur apo të ndikuar nga ky konflikt, në mënyrë të pakuptueshme dhe të papërgjegjshme bëjnë tifozllëk ndaj Iranit. Ndërkohë që përballë kemi një aleat strategjik i cili gjatë gjithë historisë së kombit shqiptar ka qenë në mbështetje të saj. Sigurisht që ky konflikt mund të mos jetë perfekt në të gjitha aspektet e tij, por që unë mendoj se tre janë pikat kryesore në të cilat duhet të përqëndrohen institucionet dhe qytetarët shqiptarë: Rritja e vigjilencës qytetare, forcimi i masave të sigurisë nga agjencitë të cilat janë përgjegjëse për këto operacione dhe rritja në nivelet më të larta e koordinimit ndërinstitucional me aleatët”, shtoi kolonel Demiraj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos