Deputetët e Partisë Demokratike të Rithemelimit bllokuan punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, në atë që duhet të ishte mbledhja e parë pas më shumë se një muaji.
Deputetët e Rithemelimit u futën në sallën e komisionit dhe nisën të debatonin me ata të mazhorancës, duke bërë që një pjesë e socialistëve të largoheshin nga salla.
Komisioni duhet të niste punën për hartimin e ligjit të ri zgjedhor nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjikunrit. Më herët, socialistët nuk pranuan të merrnin parasysh kërkesën e Rithemelimit për të ndryshuar Alibeajn me Oerd Bylykbashin.
Një ditë më parë, në një intervistë për A2 CNN, deputetja socialiste, Klotilda Bushka, tha se diskutimi dhe miratimi i ligjit elektoral duhet të jetë një proces politik dhe gjithëpërfshirës, por në mungesë të 84 votave të domosdoshme dhe të konsensusit politik, nuk e përjashtoi miratimin e kodit edhe me vota personale nga opozita.
Demokratët e Bashës kanë deklaruar se janë të hapur për të diskutuar mbi ligjet me 84 vota, e siç thonë ata edhe votimin e atyre që kanë rëndësi kombëtare. Këtë gatishmëri nuk e gjejnë te deputetët e grupimit Berisha-Bardhi, nismat e të cilëve janë refuzuar. Për ta, PS-ja ka gati “kërbaçin” parlamentar me Rregullore të re, nëse vijojnë bllokimin e seancave. (A2 Televizion)