Deputet në arrest shtëpie, Kaso: Dy arsye përse nuk digjet mandati parlamentar i Berishës

Nga Anesti Barjamemaj
19 Qershor 2024, 14:53 | Politikë

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, shprehet i bindur se mandati i Sali Berishës nuk do të digjet për shkak të masës së arrestit.

Nga studio e Ditarit në A2 CNN, Kaso shpjegoi se ka dy elemente mbi të cilët bazon gjykimin. Njëri lidhet me shkaqet e mungesës në sallën e Parlamentit, që sipas Kushtetutës, duhet të jetë pa arsye. 

“Kushtetua e thekson pa arsye. Ne kemi kemi një qëndrim politik të konsoliduar që zoti Berisha qëndron në një burgim politik të padrejtë. Zoti Berisha ka zgjedhur që ta ushtrojë mandatin e deputetit dhe në dijeninë time ka kërkuar 3 herë, që të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, leje që i është mohuar”.

Elementi i dytë, sipas Ivi Kasos, lidhet me ushtrimin e funksioneve të deputetit, të cilin thotë se Berisha e ka ushtruar edhe në kushtet e arrestit të shtëpisë.

“Ka zgjedhur atë mandat ta ushtrojë në forma të tjera, pra nëpërmjet komunikimit me zgjedhësit, duke qenë dhe pjesë aktive e iniciativave të tjera paralamentare, siç janë ato të propozimeve legjislative, kërkesë për interpelancë, të gjitha këto ligji për statusin e deputetit i përcakton si aktivitet parlamentar. Pra zoti Berisha është duke ushtruar aktivitetin parlamentar”.

Për këto arsye, krahasimi me rastin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, nuk qëndron sipas Kasos.

“Paralelizmi mbaron këtu, pasi zoti Ahmetaj në periudhën e arratisë nuk kreu asnjë prej aktiviteteve parlamentare, ndryshe nga Berisha i cili me shkrim ka shprehur vullnetin drejtuar organeve ligjzbatuese që të marrë pjesë në seancat e Kuvendit. Në pamundësi të kësaj pjesëmarrje ka zgjedhur që ta zhvillojë me mjetet e tjera ligjore të lejueshme që e shohim përditë”.

E teksa Berisha vijon të qëndrojë në arrest në shtëpi, zgjedhjet po afrohen dhe Kaso kërkon reflektim nga mazhoranca për të përfunduar reformën zgjedhore.

 “Ka një ngecje dhe hezitim nga ana e mazhorancës të cilën shpresojmë qenë këtë periudhë që ka mbetur ta thyejmë dhe të mbivendosim interesin publikimi interesin elektoral të PS-së. Po të ketë vullnet nga pala tjetër mund të bëjmë diçka”.

Sa i përket çështjes së vulës dhe logos së Partisë Demokratike, zyrtari demokrat sqaron se vendimi i apelit është përfundimtar dhe i bën ftesë mbështetësve të Lulzim Bashës që të bashkohen.

Teksa Basha tenton të propozojë një logo të re si Demokratët Euroatlantik, Kaso i tregon Kodin Zgjedhor dhe i bën thirrje që të mos keqpërdorë emrin e Partisë Demokratike.

“Nëse do të krijojë një forcë të re politike, gjë që unë dyshoj, emri dhe simbolet e kësaj force, emri dhe logo nuk mund të jetë ngjashme ose të ngatërrueshme, me të një subjekti më të vjetër.”

Sipas tij, lëvizja e Bashës është manovër për të parë nëse do të ketë mbështetje politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos