
Nga Rrogozhina, deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, pati një mesazh për të gjithë ata drejtues automjetesh që sot janë bllokuar nga protesta e opozitës.
“E di që është bezdi e madhe të bllokohesh në rrugë, por duhet ta dinë që kjo përpjekje e jona nuk është vetëm për ne. Kjo betejë është për çdo shqiptar. Krimi i organizuar në këtë vend që abuzon me pronat dhe fondet publike të këtij vendi prek të gjithë shqiptarët njësoj”, tha Nallbati për A2 CNN.
Sipas tij, “protesta është brenda pritshmërive dhe objektivi është arritur”.
“Aksi është bllokuar i gjithi. I gjithë aksi nga Durrësi në drejtim të jugut është i bllokuar. Nuk mund të flitet për shtet të së drejtës kur përdhosen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që nuk mund të pretendosh zgjedhje të lira me këtë qeveri. Opozita është e vendosur për aksione të tjera dhe përgatitjen e PD për përballjet e radhës. Protesta do të vijojë siç është parashikuar dhe do të mbyllet në orarin e njoftuar”, u shpreh deputeti demokrat.
Kur u pyet se si do të vijojë mosbindja civile pas ditës së sotme, Nallbati u përgjigj: “Do të ketë aksione të llojeve të ndryshme, deri në arritjen e objektivit që ky vend të çlirohet nga bandat në pushtet. Qeveria teknika është e vetmja garanci”. (A2 Televizion)