Deputetët socialistë dhe opozitarë janë përplasur ashpër të enjten në seancë plenare, për shkak të debateve rreth arrestimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Sherri është përshkallëzuar kur në foltore është afruar Taulant Balla, ku disa deputetë të Partisë Demokratike kanë tentuar ta pengojnë të flasë, duke bërë që të ndërhyjnë efektivët e Gardës së Republikës. Deputeti Petrit Doda madje është parë të kapë mikrofonin e foltores, dhe të tentonte të godiste ministrat e ulur në sallë, si Taulant Balla apo të tjerë.
Pasdite, në studion e A2 CNN, Doda sqaroi gjithë episodin. “Ministri Manja, më vjen keq se është edhe Dibrani im, tha që jeni budallenj. U ofendova në radhë të parë se e tha një ministër, dhe një dibran i imi... Kjo ishte arsyeja. Ishim në situatë shumë të qetë. Prisnim të kalonim edhe kodin zgjedhor...”.
“Juve keni filluar të ndjeni humbjen e 11 majit, humbje që do të jetë më e thella që keni parë ndonjëherë”, u tha Balla demokratëve, duke shkaktuar reagimin e tyre.
Në përgjigje ndaj Ballës, deputeti i PD, Gazment Bardhi, i kërkoi socialistëve të shkarkonin Erion Veliajn. “Shkarkoni Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. E kuptoj problemin që ju ka zënë, se ai ka premtuar që do ta marrë edhe kryeministrin e me vete. Por kjo nuk është puna jonë”, tha Bardhi.
(A2 Televizion)