Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja ishte kandidati më i votuar nga listat e hapura, duke fituar besimin e 24.802 qytetarëve të Tiranës, të cilët e votuan në zgjedhjet e 11 majit.
Numri i lartë i votave preferenciale sipas Gonxhes është përgjegjësi e madhe, por ai nuk e fshehu krenarinë për rezultatin.
“Nuk diskutohet që është një barrë shumë e madhe. Është një gëzim, është një krenari, është një kënaqësi kur shikon rezultatin, por nga ana tjetër është automatikisht një përgjegjësi shumë e rëndë, shumë e madhe, që duhet të përkthehet menjëherë në përveshje mëngësh për të punuar”, u shpreh Gonxhja.
I pyetur nëse ky votëbesim do t’i hapë rrugën për të garuar për Bashkinë e Tiranës, Gonxhja iu përgjigj gazetarëve duke thënë se zgjedhjet e 11 majit dhe rezultati i tyre nuk kanë lidhje me zgjedhjet e pjesshme lokale, që mund të zhvillohen për kryeqytetin.
“Mendoj se Bashkia e Tiranës zyrtarisht e ka kryetarin e vet, e ka datën e vet të zgjedhjeve në kohën e vet. Mendoj që nuk ka lidhje me këtë gjë. Natyrisht pritshmëria shumë pozitive e kryeqytetasve, në këtë rast e Qarkut Tiranë të mbush me krenari, por ta thashë, nuk shoh lidhje direkte me Bashkinë Tiranë”, tha ministri. (A2 Televizion)