Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar një skandal të madh zgjedhor në Elbasan, të njohur si “treni bullgar”, duke e cilësuar si një rast të manipulimit të votave. Kreu demokrat ka publikuar prova të reja, sipas të cilave, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Pekisht, Dervish Beqiri, vëzhgues i PS-së, janë gjetur sasi të konsiderueshme materialesh zgjedhore, si fletë votimi, lista votimi dhe euro të dyshimta.
“‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro”, u shpreh Berisha, përcjell A2 CNN.
Sipas Berishës, ky rast është një tjetër dëshmi e praktikave të përhapura në disa zona të Shqipërisë, ku patronazhistët e Partisë Socialiste, paralelisht me qendrat e votimit, kishin ngritur zyrat e "trenit bullgar," për të manipuluar zgjedhjet.
Ai theksoi se, pas një informacioni që mori deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi, ky material zgjedhor është gjetur pas disa netësh dhe është depozituar në lokal të kryeplakut të fshatit.
“Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush. Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit. Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
(A2 Televizion)