Qeveria shqiptare ka vendosur zgjatjen e afatit të qëndrimit të shtetasve ukrainas në Shqipëri, nga 3 vite në 4 vite.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme (21 maj 2025) të Këshillit të Ministrave, shkruan A2 CNN.
Në vendim thuhet vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Vendimi i Qeverisë:
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.169, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, togfjalëshi “… 3 (tre) vjet …” zëvendësohet me “… 4 (katër) vjet …”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. (A2 Televizion)