Dialog me opozitën? Rama: Është zgjedhja e tyre për të vrarë veten politikisht, nuk e ndalojmë dot

Nga A2 CNN
31 Tetor 2024, 11:42 | Politikë

Kryeministri Edi Rama tha se opozita ka përjashtuar veten nga dialogu politik dhe kjo nuk ka të bëjë me verimet e shumicës ndaj saj.

“Problemi është që kur duhet të vallëzosh, duhen dy vetë. Dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog sot, është shumë e thjeshtë. Kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është shumë e thjeshtë, kush nuk është i gatshëm të flasë”, tha Rama në një konferencë për mediat, raporton A2 CNN.

“Ndjehen të përjashtuar, më vjen shumë keq, është vetëpërjashtim absolut pa asnjë bazë faktike të lidhur me qëndrimet tonë. Është zgjedhja e tyre legjitime. Jemi vend i lirë, demokratik, secili bën zgjedhjen e vet. Edhe zgjedhja për të vrarë veten... politikisht, është legjitime, nuk e ndalojmë dot”. 

“Kur ishim ne në opozitë, dërgonim letra për të folur, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë që tani situata është ndryshe. Por diskutimet bëhen përmjet gjuhës, jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve. Kjo është shumë e thjeshtë”.

Sa i përket rrezikut që përplasjet politike të shtyjnë procesin e integrimit, Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke kujtuar se as veto e Greqisë nuk ndali punën e qeverisë së tij. “E dini shumë mirë që konferenca e dytë ndërqeveritare u shty në kohë për shkak të një ngërçi politik me vëllezërit tanë në kufirin jugor. Dhe unë kam thënë se kjo nuk ka pikë rëndësie për ne për sa i përket progresit, sepse ne do të bëjmë të njëjtën punë dhe kurdo që të ulemi do të jemi më përpara”, tha kryemnistri, raporton A2 CNN.

“Ne kemi hapur kapitullin e parë dhe të tjerë në rajon janë në negociata prej disa vitesh, por Shqipëria është i vetmi vend i rajonit, që në fushën e prokurimeve publike nuk ka piketa të ndërmjetme deri në anëtarësim. Kjo do të thotë që Shqipëria konsiderohet vendi më i avancuar në prokurimet publike, për standardet dhe implementimin e tyre. Ne nuk kemi humbur asnjë minutë pavarësisht problemeve politike që na kanë penguar për hapjen e negociatave. Ama stacioni ynë është në do ta bëjmë gati Shqipërinë për të qenë anëtare me të drejta të plota e BE brenda kësaj dekade dhe do të jemi gati ta ngremë flamurin tanë në Bruksel brenda kësaj dekade. Do të bëjmë punën që kjo të ndodhë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos